Ministrja e Arsimit, Besa Shahini doli sërish këtë të premte në një komunikim online për t’u dhënë përgjigje disa prej pyetjeve që kanë prindërit që do të çojnë fëmijët në shkolla në 14 shtator.

Gjatë fjalës së saj, Shahini dha shpjegim se pse pjesë e udhëzuesit është edhe ndalimi i ushqimit në klasa për nxënësit.

“Ushqimi në klasë nuk do të lejohet sepse paraqet një rrezik për sigurinë e shëndetit të nxënësve dhe të mësuesve. Nëse hahet në klasë, i bie që duhet të hiqet maska, ekspozohet nxënësi që heq maskën, edhe nxënësit e tjerë, preket goja me duart që mund edhe të mos jenë të dezinfektuara plotësisht. Kështu që t’i ikim çfarëdo rreziku për infektim, është e rëndësishme që të evitojmë ushqimin në klasë.”

Nga ana tjetër, të gjithë ata nxënës që e kanë të pamundur të jenë të pranishëm fizikisht në shkolla, do të kenë mundësinë të aksesojnë mësimin edhe në kushte shtëpie. Ministrja tregoi si do të arrihet diçka e tillë.

“Patjetër, edhe leksionet në RTSH që do të xhirohen paralelisht me leksionet që ndodhin në shkollë dhe platforma unike që do të përdoret për mësim online do të jenë në dispozicion të nxënësve që për arsyet e tyre nuk mund të marrin pjesë në procesin arsimor që do të zhvillohet në shkollë. Kemi nxënës që kanë sëmundje kronike dhe mund t’ju duhet të qëndrojnë në shtëpi sepse në këtë rast rrezikohet shëndeti i tyre. Kështu që ata do të punojnë kryesisht përmes mësimit online dhe do të ndjekin leksionet në RTSH, por duke mbajtur kontakt edhe me mësuesin e tyre që të mund të vlerësohen.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *