Lideri i opozitës Sali Berisha ka përsëritur gatishmërinë për të bashkëpunuar me çdo demokrat, duke përjashtuar Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn. Gjatë një konference për shtyp Berisha akuzoi ish-Bashën dhe Alibeajn se në këto zgjedhje i shërbyen Edi Ramës.
SALI BERISHA
“ Dy persona janë të larguar në mënyrë përfundimtare nga PD. Njëri është Lul Brava, tjetri është Alibasha, i cili mori vetëm sot shpërblim nga Edi Rama 220 mijë euro. Partia Demokratike është e hapur për të gjithë të tjerët për debat, për negociata, për çfarë të dëshirojnë.”
Por në raport me rezultatin Berisha këmbënguli se megjithëse gara ishte e pabarabartë opozita mori besimin e 510 mijë shqiptarëve.
“Partisë Demokratike iu mohua logoja, PD-së iu mohua kryetari i koalicionit. E di si e bëri Edi Rama? Kur ringu ishte përgatitur për ndeshjen, me mekanizma alla-Putin, shpalli veten fitimtar duke mos lejuar kundërshtarin të futet në ring. Por ajo nuk është fitore? Ajo është tmerr-fitore! Sepse pasojat sigurisht që ishin për Partinë Demokratike, por më të rënda qenë për atë. Se ai parashikoi jo vetëm që ajo të ishte një ‘kolpo di gracia’, ti jepje një goditje asgjësuese, përfundimtare. Por në fakt u përball me të kundërtën.”
Ndërkaq Berisha denoncoi sot një tjetër element të procesit zgjedhor, ndryshimin e qendrave të votimit për 1,3 milionë zgjedhës.
“Dita e votimit ishte ditë e përjashtimit të më së paku mbi 200 mijë zgjedhësve shqiptarë. Emrat e tyre në listat për të votuar ishin transferuar në qytete të tjera, në zona të tjera. Pa asnjë paralajmërim dhe në kundërshtim me çdo ligj të vendit.”
Berisha iu referua KQZ për të treguar se në 14 maj 180 mijë shqiptarë nuk e gjetën dot qendrën e votimit për të shpjeguar se qytetarët nuk e bojkotuan opozitën.
“Në majin e vitit 2023 e 1 milionë e 313 mijë zgjedhës. Në vitin 2021 votuan 1 milionë e 570 mijë zgjedhës. Pra në vitin 2023 votuan më pak së në vitin 2021, 265 mijë zgjedhës. Prej tyre mbi 200 mijë prej tyre iu hoq për arsye politike e drejta e zgjedhjes.”
Berisha deklaroi se çdo ditë PD do të vazhdojë të denoncojë problemet e procesit zgjedhor të 14 majit