Opozita kërkoi sot nga parlamenti miratimin e ligjit për minimumin jetik, për të shpëtuar nga varfëria 1,3 milionë qytetarë shqiptarë. Në një konferencë për gazetarët, lideri i opozitës, Sali Berisha, së bashku me ekipin e ekonomistëve shpjegoi se për të përballuar nevojat minimale, një qytetar ka nevojë për 200 euro në muaj.
SALI BERISHA
“Shqipëria është një vend i vetëm që nuk i garanton qytetarëve të vet nuk i mbron ata me një minimum jetik, me të cilin ata mund të blejnë ushqimet si individë dhe si familje, dhe përvecc ushqimeve, pak më shumë se gjysma e të ardhurave duhet t’u mbeten për plotësimin e nevojave të tjera.”
Berisha shpjegoi se nga pagesa prej 200 eurosh përfitojnë së pari pensionistët, të cilët në masën 80% marrin më pak se minimum jetik.
“Nga kjo pagesë, përfitojnë mbi 85 përqind e pensionistëve, të cilët janë ndër këtë pagesë, përfitojnë të gjithë familjet me ndihmë ekonomike, të cilët marrin një mbështetje qesharake, maksimumi 8 mijë lekë, përfitojnë kategori të tjera dhe duhet të përfitojnë studentët, duhet të përfitojnë të rinjtë.”
Lideri i opozitës shpjegoi se Shqipëria i ka mundësitë ekonomike për të përballuar vendosjen e minimumit jetik, nëse luftohet korrupsioni.
“KLSH ka gjetur se në 9 muaj, qeveria ka abuzuar 122 miliardë lekë. Sa është fondi i pagave në Shqipëri? Është 97 miliardë lekë. Ose 90 miliardë lekë. Pra, vidhet 130 përqind fondi i pagave.”
Deputetët e opozitës depozituan pak ditë më parë në parlament një projektligj për vendosjen e minimumit jetik dhe duke u bazuar në një studim të avokatit të popullit, ky minimum duhet të jetë në vlerën 200 euro në muaj.
Për domosdoshmërinë e miratimit të këtij ligji, demokratët kanë sjellë si argument shifrat e eurostat, i cili e rendit Shqipërinë me nivelin më të lartë të varfërisë në rajon, me 46% të popullsisë që jeton në kushte varfërie, ndërkohë që sipas eurostat situata është më shqetësuese për fëmijët nën moshën 18 vjeç, ku 1 në dy fëmijë është i varfër.





