Berisha thirrje për protestë: T’i japim përgjigjen e merituar regjimit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës t’i bashkohen protestës së opozitës para parlamentit në orën 17.00.
Berisha sqaroi se protesta do të zhvillohet para kuvendit, pasi aty shkelen të drejtat e opozitës e cila përfaqëson 750 mijë qytetarë, të cilët votuan për të në zgjedhjet e prillit të vitit 2021.
SALI BERISHA
KRYETAR I PD
“Përfaqësuesit e këtyre 750 mijë qytetarëve shqiptarë që kanë detyrë themelore mbrojtjen e interesave të tyre, kontrollin e qeverisë dhe transparencën nga abuzimet. Përjashtohen, bllokohen, iu mohohet e drejta e fjalës dhe nuk lejohen të krijojnë komisionet hetimore parlamentare si një institucion themelor i parlamentit për të bërë transparencë.”
Berisha ka theksuar se opozita nuk do të lejojë zhvillim normal të punimeve të kuvendit, nëse nuk ngrihet komisioni hetimor për lidhjet e kryeministrit Edi Rama me ish-zyrtarin e lartë të FBI.
“Parlamenti nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë agjendë tjetër, përpara hetimit të skandalit Rama-McGonigal.”
Berisha theksoi se sot pasdite deputetët do të flasin në parlament dhe jashtë sallës së seancave para protestuese, duke i dhënë një mesazh edhe mazhorancës.
“Ju e shihini, ata që u strukën në vrima miu në datën 11 shkurt. Ata që postuan video të regjistruara kohë më parë, tani dalin nga vrima e miut ku ishin futur dhe tallen me qytetarët. Tallen me protestën e tyre të jashtëzakonshme. Ndaj dhe sot në ora 5, ju ftoj të gjithëve para parlamentit, të dëgjohet zëri juaj, në sallë dhe jashtë sallës, zëri i popullit opozitar.”
Edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës sot pasdite në parlament.




