Në daljen e fundit para gazetarëve para zgjedhjeve të 11 majit, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha përcolli një mesazh për shqiptarët në diasporë, duke u kërkuar të shprehin vullnetin e tyre me votë për forcën politike që do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme. Berisha u bëri apel edhe atyre emigrantëve që nuk janë regjistruar për të votuar me postë, të vijnë në Shqipëri të dielën e të votojnë.
“Thirrja ime është, cilido prej tyre që mund të vijë të votojë me datën 11 maj, i bën një shërbim historik vendit dhe kombit të tij. 11 Maji është dita përcaktuese e të ardhmes së kombit shqiptar”, tha Kryetari i PD.
Ndërsa qytetarëve që banojnë në Shqipëri, kryetari i PD Sali Berisha u bëri apel t’i bashkohen mitingut të PD për mbylljen e fushatës.
“Dy fushata ecin paralel në territoret e vendit. Njëra fushatë me detyrim e narkoshtetit dhe tjetra fushata e qytetarëve të lirë, të vendosur për të përzënë narkoshtetin. Sonte, kësaj fushate fantastike që u zhvillua për një muaj, duhet t’i vendosim kurorën më të bukur në ballin e saj, në ballin e Shqipërisë. Ndaj dhe ftoj qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë të bashkohemi sot në Bulevardin e Ri, në një festë madhështore të fitores të datës 11 maj.”
Para gazetarëve, Berisha deklaroi se kjo është konferenca e tij e fundit në opozitë, pasi Partia Demokratike dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore do të fitojnë.
Sinkron.
“Kjo do të jetë konferenca ime e fundit si kryetar opozite, mbasi pas datës 12 maj kjo opozitë bëhet mazhoranca e Shqipërisë.”
Sot, në mbylljen e fushatës, do të flasin Elmar Brok, anëtar i CDU gjermane që ka drejtuar në Parlamentin Europian komitetin për punët e jashtme, Lord Jackson of Peterborough nga partia konservatore britanike, konsulenti i fushatës Chris Lacivita, Ilir Meta nëpërmjet një audiomesazhi dhe fjalimi i fundit është ai i Sali Berishës.
/vizionplus.tv