Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me diasporën shqiptare në Milano.
Gjatë fjalës së tij, Berisha vijoi akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, George Sorosit dhe ish-sekretarit amerikan Antony Blinken, të cilët i konsideroi përgjegjës për sulmin ndaj tij dhe përpjekjet për të shkatërruar opozitën.
Ai u zotua se do ta shpallë ‘non grata’ George Sorosin dhe do të mbyllë fondacionin e tij në Shqipëri.
“Së pari, zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Së dyti, audit i përgjithshëm. Ku shkuan 57 miliardë euro të këtyre viteve, ku i depozituan, në çfarë i shndërruan? Do t’i merren dhe do t’iu kthehen qytetarëve. Por edhe një ligj tjetër special, Mbyllja e fondacionit George Soros në Shqipëri dhe shpallja non grata e George Sorosit. Projekti i Ballkanit të Hapur nuk do të ekzistojë më, ai do të përfundojë në koshin e plehrave të historisë. Shërbëtori i Vuçiçit do të mbajë përgjegjësi për tradhtinë ndaj shqiptarëve”, tha Berisha.
Ai e shpalli 2025-ën si vitin e Diasporës dhe premtoi një rimëkëmbje ekonomike përmes konceptit “Made in Albania”.
“Viti 2025 do të jetë viti i shqiptarëve të Diasporës. Me votën tuaj, do t’i jepni fund kësaj narkodiktature dhe do të riktheni demokracinë në vend. Shqipëria madhështore do të jetë Shqipëria ku qytetarët jetojnë me dinjitet dhe paguhen me dinjitet. Por jo vetëm kaq. Shqipëria madhështore do të jetë Shqipëria në të cilën ju, miqtë tuaj italianë dhe qytetarët shqiptarë do të vendosin ëndrrat e tyre, sfidat e tyre, bizneset e tyre”, shtoi Berisha.
Berisha foli edhe për atë që demokratët e kanë quajtur “sherifi i ri në qytet”, Chris LaCivita, i cili sipas tij do të jetë vendimtar në fitoren e opozitës në zgjedhjet parlamentare të majit.
“Kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan, Chris LaCivita, iu deklaroi shqiptarëve: ‘Kam ardhur këtu tek ju për të mbështetur Sali Berishën në projektin e tij për Shqipërinë madhështore.’ Po miq, e kemi gati programin. E kemi detyrim ndaj jush, ndaj çdo shqiptari”, deklaroi ai.
Në përfundim, Berisha foli për epokën dixhitale dhe zhvillimin teknologjik, teksa tha se Shqipëria do të bëhet një qendër e rëndësishme për teknologjitë e avancuara.
Takimi i Berishës me emigrantët në Milano pason një sërë takimesh të tjera që kreu i PD-së ka zhvilluar në kuadër të fushatës me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe do të kenë për herë të parë në këto zgjedhje të drejtën e votës.
/vizionplus.tv




