Subscribe

Lideri i opozitës Sali Berisha, sulmoi ashpër gjyqtaren speciale Irena Gjoka e cila  vendosi masën e sigurisë ndaj tij, duke vënë në dukje se ajo është shkarkuar për korrupsion në vitin 1996, kur vete Berisha në cilësinë e presidentit të republikës drejtonte këshillin e drejtësisë.

 

Gjate një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjete sociale, Berisha deklaroi se gjyqtarja Gjoka për këtë arsye nuk mund të gjykonte çështjen e kompleksit Partizani për shkak të konfliktit të interesit

 

SALI BERISHA

 

“Kjo shkresë është përgjigja që Ministria e Drejtësisë u jep avokatëve, që pranon se Irena Gjoka, gjykatësja Irena Maneku ka masë disiplinore. Shikoni sa qesharake, thonë nuk e dimë nëse është Gjoka kjo Maneku apo tjetër, në një kohë kur kjo është gjykatësja që fshihet pas krimit, sepse ka kryer krim duke shkelur ligjin e konfliktit të interesit. Ja ku është shkresa. Dokumente të tjera do i faktojnë se kjo Maneku është Gjoka dhe Gjoka është Maneku, meqenëse ajo kryen krimin e shëmtuar dhe i fsheh ministrit të Drejtësisë faktin se ajo është i njëjti person. Është shkarkuar nga Sali Berisha për shkelje të rënda dhe korrupsion.”

 

Dy ditë para afatit që gjyqtarja Irena Gjoka i ka vendosur për tu paraqitur në SPAK, Berisha përsëriti se nuk do të zbatojë vendime që cenojnë kushtetutën

 

“Unë nuk mund të shkel kurrë Kushtetutën, pse një grup i strukturuar kriminal, i përbërë nga një prokuror, ish-oficer i policisë sekrete të Enver Hoxhës, i përbërë nga një gjykatëse, shtojcë e bandave të vendit, e cila konfiskon dosje dhe u mohon qytetarëve të drejtën e procesit gjyqësor.”

 

Ndërsa deputetët e opozitës po përpiqen prej javësh të bllokojnë parlamentin, Berisha shpjegoi se ky aksion ka si qëllim mbrojtjen e kushtetutës

 

“Sot, 43 deputetë të opozitës janë angazhuar në një betejë pa kthim në parlament, për faktin më të paimagjinueshëm, sepse Edi Rama ka urdhëruar konfiskimin e të drejtave të tyre themelore politike, të drejta që burojnë nga vota juaj, të drejta të dhëna me Kushtetutë deputetëve, në mënyrë që ata të mund të mbrojnë interesat tuaja.”

 

Të hënën në orën 10.00 sipas vendimit të gjyqtares Irena Gjoka, lideri i opozitës Berisha duhet të paraqitet në SPAK. Por tashmë Berisha e ka bërë të qartë se nuk do të shkojë, përkundrazi në këtë orë lideri i opozitës Berisha së bashku me deputetët e tërë demokratë do të përpiqen të bllokojnë votimin e buxhetit dhe paketës fiskale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *