Lideri historik i PD, Sali Berisha, ka deklaruar se kandidatët e shpallur një ditë më parë nga Enkelejd Alibeaj nuk janë të demokratëve, por të kryeministrit Edi Rama.

 

Berisha preferoi të shmangte komentet për emrat konkretë, duke theksuar se kandidatët e koalicionit opozitar do të fitojnë në 14 maj.

 

SALI BERISHA

 

“Kandidatët e Alibashës dhe Lulzim Bravës janë kandidatë të Edi Ramës. Ata nuk kanë asnjë lidhje me PD-në. Ata janë vegla që i përdor Basha dhe Rama kundër pluralizmit.”

 

Qëllimi i konferencës për shtyp të Sali Berishës ishte prezantimi i gjetjeve të grupit që auditoi financat e Partisë Demokratike, pas akuzave se forca më e madhe e së djathtës kishte përfituar financime nga Rusia.

 

Sipas këtij raporti, nuk ka asnjë të dhënë që PD të ketë marrë para nga burime të paligjshme, apo aq më tepër nga Rusia. Grupi i ekspertëve ka gjetur të dhënat se janë kryer tre pagesa për lobistin Nick Muzin me vlerë 125 mijë dollarë, të gjitha nga burime të ligjshme.

 

“Ne nuk kemi gjë të re, kemi vetëm këtë fakt, që PD nuk ka në arkën e saj një qindarkë të vetme të hyrë apo të dalë për 500 mijë dollarë të paguar nga Biniatta Trade, një kompani e zbulimit rus në Skoci, në emër të PD-së. Nuk ka.”

 

Sipas Berishës, i takon Lulzim Bashës, i cili ka qenë kryetar i PD në vitin 2017, të sqarojë të vërtetën e kësaj çështje.

 

“Per 500 mije dollare qe biniata trade i ka paguar nick muzin ato jane ose shperblim u zbulimeve ruse per lulzim bashen, ose burim tjeter qe eshte perzgjedhur nje kompani ruse.”

 

Prej vitit 2018 mbi Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën ka pasur një seri akuzash, për pagesat që ajo ka kryer ndaj një firme lobuese në SHBA. Kjo firmë deklaroi asokohe në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se kishte marrë gjithsej tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike. Situata u rëndua për PD, kur në shtatorin e vitit të kaluar në një raport të komunitetit amerikan të zbulimit vihej në dukje se PD në vitin 2017, kur drejtohej nga Lulzim Basha, ka përfituar 500 mije dollarë financime nga Rusia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *