Subscribe

Kryetari i partisë demokratike Sali Berisha bëri përgjegjëse qeverinë për publikimin e identitetit të qytetarëve shqiptarë që janë në hetim nga policia. Gjatë një deklarate për shtyp, Berisha përsëriti se sistemi TIMS nuk u sulmua nga hakerat iranianë, por nga ata qeveritarë, sipas kreut të PD me qëllim për të fshirë të dhënat për politikanët që kanë udhëtuar me persona të botës së krimit

 

SALI BERISHA

KRYETAR I PD

 

“Kurse nxjerrja e të dhënave të kartotekës, përbën shkallën më ekstreme të dekonspirimit dhe dorëzimit të këtij shtetit mafioz, tërësisht në duart e krimit. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë veprimtari, kriminale, shtetërore.”

 

Sipas Berishës, publikimi i të dhënave te sistemit MEMEX është bërë me qëllim paralajmërimin e personave në hetim.

 

“Nga sistemi janë ekspozuar emrat në mënyrë që të paralajmërohen të gjithë ata të cilët janë në vëzhgim, janë në hetim, në shqyrtim, për aktivitete të ndryshme kriminale.”

 

Sipas Berishës, publikimi i të dhënave për personat në hetim, shënon një moment të vështire për Shqipërinë.

 

“Eshtë një moment që dëshmon se çdo gjë në këtë shtet të mafias ndodhet në duart e krimit, në të cilin Shqipëria bëhet vendi më i rrezikshëm në Ballkan dhe Europë pasi paralajmëron kështu kontingjentet e delikuenteve të saj, se janë në ndjekje, në mbikëqyrje policore dhe se ata për të shpëtuar duhet të largohen.”

 

Kryetari i PD Berisha ka akuzuar qeverinë, se prej 15 korrik kur u zbulua sulmi mbi e-albania e deri më sot, nuk është marrë asnjë masë për mbrojtjen e sistemeve digjitale të Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *