Partia Demokratike nuk mbështet ndryshimin e Kushtetutës për t’i dhënë mundësi prokurorëve të SPAK-ut të rikandidojnë edhe për një mandat të dytë.
Pas kërkesës së drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani, në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për një mandat të ri në Prokurorinë e Posaçme, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp me gazetarët, deklaroi se opozita nuk do të mbështesë asnjëherë ndryshimin e Kushtetutës për këtë çështje.
“Ky është i fiksuar, në çdo takim kërkon: ‘Na ndryshoni Kushtetutën për karrigen time.’ Jo, mor zotëri, nuk ndryshojmë Kushtetutën për karrigen tënde. Po, Kushtetuta do të ndryshojë, por për t’i hequr të drejtën prokurorit të kontrollojë gjyqtarin e çështjes,” tha Berisha.
Ai komentoi gjithashtu edhe hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësim në Bruksel. Sipas Berishës, Partia Socialiste nuk mund ta bëjë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Evropian, duke goditur premtimin kryesor elektoral të rivalit politik, Edi Rama.
“Nuk shkohet në BE me Taulant Ballën ministër e deputet. Ata që kanë ADN-në e integrimit, dihet kush janë. Të mos mashtrohen shqiptarët me pasaportën false të Edi Ramës, të cilën sot për sot nuk e pranon askush. Shqiptarët kanë vetëm një alternativë për pasaportën evropiane: të ikin nga Shqipëria,” deklaroi kreu i PD-së.
Kryetari i PD-së, Berisha, akuzoi Kryeministrin Edi Rama se ka futur në listën e kandidatëve për deputetë emra të sponsorizuar nga krimi, duke akuzuar kandidaten e Elbasanit, Sara Mila, se mbështetet nga Suel Çela, i shpallur në kërkim për organizatë kriminale.
“Suel Çela ditë e natë po zbaton porosinë e Edi Ramës për të zgjedhur deputete një Sara Mile, dhe Edi Rama i thotë Suelit se kontributi yt do të matet me votat që merr Sara. Edhe unë i them Suelit se në mënyrë absolute do të ndëshkohet rëndë për krimin monstruoz elektoral-kushtetues nëse vazhdon në këtë mënyrë,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, bandat e krimit të organizuar janë përfshirë në fushatën e PS-së në Durrës dhe Shkodër, duke i paralajmëruar se çdo krim elektoral do të ndëshkohet nga drejtësia.
/vizionplus.tv