Kryetari i PD Sali Berisha komentoi sot qëndrimin e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zgjedhjet e 11 majit duke vënë në dukje se nuk pati asnjë urim për Edi Ramën si fitues i zgjedhjeve.
Gjatë një komunikimi me gazetarët Berisha deklaroi se nëse krahasohen qëndrimet e SHBA sot me deklaratën pas zgjedhjeve të vitit 2021 diferenca është e qartë.
“Aty urohen shqiptarët. Urohen shqiptarët. As nuk mohohet as nuk pohohet farsa. Këtu ka një gjë. Ne që denoncojmë çdo ditë njihemi me prova e fakte të reja, ne vetë, sepse nuk mund ti analizosh të gjitha në një kohë. Po i marrim dhe po ua paraqesim. Kështu që është shumë normale. Ata të cilët nuk duan të paragjykojnë pritet raporti përfundimtar. Ky është rregulli. Por ne kemi ndryshuar, kemi ndryshuar dhe raporte ndërkombëtare”, tha Berisha.
Berisha përsëriti se PD do të vazhdojë të bëjë gjithçka për të treguar të vërtetën për zgjedhjet e 11 majit. E ndërsa ka nisur procesi ankimor Berisha artikuloi akuza ndaj KQZ se nuk po zbaton ligjin, duke sulmuar edhe ish-bashkëpunëtorin e tij, ish-zëvendëskryeminstrin Ilir Rusmali që sot është anëtar i komisionit të ankimimeve dhe sanksioneve.
“E morët ju vesh? Në qarkun ku ne kemi fituar, nuk u dhanë procesverbalet. E verifikova njëherë se thashë është e pamundur. Por Edi Rama i çon tek një njeri që zbaton çdo lloj urdhri, një turp njerëzor dhe vendos se nuk mund të merrni procesverbalet se i kanë komisionerët. Edi Rama nga një anë urdhëron kandidatët e tij të mos kërkojnë në asnjë mënyrë hapje kutish, nga ana tjetër urdhëron një çfarë mund t’i thuash, çdo epitet mund t’i vësh Rusmalit, që të mos japë procesverbalet”, tha Rama.
Me nisjen e procesit ankimor PD ka kërkuar në komisionin qendror te zgjedhjeve shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në 12 qarqet e vendit./vizionplus.tv