Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi sot dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Gjatë një konference me gazetarët, Berisha argumentoi kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama me dy dosjet e fundit të SPAK-ut: dosjen për zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe dosjen për tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
“Kërkoj largimin e tij të menjëhershëm nga qeveria, qeverinë teknike për të përgatitur zgjedhjet e reja dhe rikthimin e Shqipërisë në rrugën e ligjit dhe Kushtetutës.”
Berisha deklaroi se opozita nuk do të pranojë seancë plenare pa media për imunitetin e Belinda Ballukut.
“Seancë të mbyllur për vjedhjet e Edi Ramës ne nuk pranojmë. Ne nuk pranojmë seancë të mbyllur për vjedhjet e Lubi Ballukut. Jo, seanca do të jetë e hapur. Nuk jemi ne si deputetë që na kanë vjedhur, janë qytetarët shqiptarë që janë vjedhur prej tyre. Imagjinoni ju, cili shqiptar mund të mendonte se ajo ka shndërruar në apartamente, ka 300 apartamente të grabitura, të blera në këtë mënyrë.”
Sipas Berishës, hetimet e SPAK-ut për tenderat e AKSHI-t ngrenë alarmin se është vënë në rrezik edhe siguria kombëtare, pasi, sipas kryetarit të PD-së, të gjitha të dhënat e shqiptarëve sot ndodhen në duart e bandave kriminale.
Më herët, Berisha takoi aleatët e Partisë Demokratike për organizimin e protestës së 22 dhjetorit.
“Është thirrur data 22. Protestat tona do të diversifikohen me greva, me greva urie, me të gjitha format, në qoftë se ne përmbushim misionin tonë. Dhe ne jemi të vendosur ta përmbushim.”
Prej disa ditësh, Sali Berisha po flet për protesta e greva dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në tubimin e opozitës pasditen e së hënës.
/vizionplus.tv





