Partia Demokratike nuk do të bëhet pjesë e reformës zgjedhore e territoriale, pavarësisht paralajmërimit të Kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste. Gjatë një konference për gazetarët, Berisha komentoi qëndrimin e grupit parlamentar socialist se do t’i heqin PD-së të drejtën e vetos dhe përfaqësimin e barabartë në këto reforma, duke theksuar se beteja e opozitës është vetëm një: largimi i Kryeministrit Edi Rama.
“Edi Rama duhet të japë dorëheqjen, kjo është përgjigjja ime për çdo fjalë të tij. Të largohet menjëherë nga pushteti! Seriali i veprave kriminale të tij nuk ka fund.”
Berisha akuzoi Kryeministrin Rama se është përgjegjës kryesor për çështjet që po heton SPAK-u në lidhje me tenderat në infrastrukturë dhe tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Sipas Berishës, lideri i mazhorancës duhet të largohet dhe t’i hapë rrugë një qeverie teknike.
“Në dosjen e Lubi Ballukut, në tre rreshta, dy janë për Ramën, një është për Lubinë. Në dosjen e Lindave, një është për Mirlindën, dy janë për Lindën dhe Frangun. Një është për Ermal Beqirin, dy janë për Armand Frangun, për baxhanakun e Ramës dhe kunatin e Lindës. Kështu që ai duhet të japë dorëheqjen.”
Berisha komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha pjesërisht të drejtë atij, dhe e cilësoi zgjatjen e arrestit në shtëpi ndaj liderit të opozitës antikushtetuese. Ai akuzoi gjykatën se nuk synon të bëjë drejtësi, por i shërben PS-së. Sipas tij, një kërkesë të ngjashme Berisha e ka bërë katër herë të tjera dhe është rrëzuar, duke vënë në dukje se edhe pse Kushtetuesja i dha të drejtë, serish nuk e shfuqizoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë.
“Nga ana tjetër, me këtë vendim i kanë hapur rrugën për mbështetjen e Lubisë dhe ministrave, të cilët mund të dënohen për krime monstruoze dhe korrupsion. Pra, e kuptoni ju, që në pamje të parë duket sikur kanë bërë drejtësi, por në të vërtetë janë treguar një seksion politik i Partisë së Krimit, ashtu siç janë. Të turpshëm, të turpshëm!”
Një ditë më parë, Kushtetuesja deklaroi se vendimi i Gjykatës së Posacme për të lënë në arrest shtëpie kryetarin e PD-së, Sali Berisha, përtej afatit 7-mujor ishte në shkelje të ligjit themeltar të shtetit. Por ajo nuk e shfuqizoi këtë vendim, meqenëse Berisha është i lirë. Vendimi nuk ka efekt për vetë Berishën, pasi ai qëndroi në arrest shtëpie për 11 muaj, nga 30 dhjetori i vitit 2023 deri në nëntorin e vitit 2024, dhe tani ka vetëm masën e detyrimit për t’u paraqitur.





