Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi sot dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në themel të kërkesës së liderit të opozitës qëndron një shkrim i gazetarit italian Nello Trochia, i cili pretendon se ka dokumente të hetuesve italianë që tregojnë se përfaqësues të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama janë takuar në vitin 2019 në një ishull në Karaibe, në Aruba, për të negociuar me persona që merren me trafik droge.
“Jep dorëheqjen sepse, ti nuk mund të jesh kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s, anëtar i Këshillit të Europës, kandidat dhe që ka hapur negociatat me BE, në një kohë kur ti zhvillon takime me kartelet dhe klanet botërore të drogës”, tha Berisha.
Sipas Berishës, opozita do të bëjë gjithçka për të zbuluar të vërtetën për këtë çështje.
“Shqipëria ka një kryeministër dhe ministra, të cilët udhëtojnë me çarter 13 mijë milje për të takuar bosë shqiptarë dhe latinoamerikanë të drogës”, tha kreu i PD.
Berisha paralajmëroi se do t’i drejtohet organeve hetimore për këtë çështje.
“Nëse Rama nuk jep dorëheqjen, do të jetë një padi në SPAK, por do shohim tani ligjet ndërkombëtare, me shpalljen e karteleve si organizata terroriste, nëse mund të bëhet padi edhe në gjykatë ndërkombëtare”, tha Berisha.
Në datën 23, në gazetën italiane “Domain”, u publikua një artikull, i cili bazohet mbi librin e gazetarit italian Nello Trochia.
Ky i fundit pretendon se nga hetuesit italianë ka marrë dokumenta që tregojnë se “Nga 24 deri më 31 janar 2019 përfaqësuesit më të lartë të organizatës kriminale janë takuar në ishullin Aruba dhe prezentë kanë qenë përfaqësues të papërcaktuar të qeverisë shqiptare në detyrë.”
Gazetari pretendon se qëllimi i takimit “Ishte të përcaktohej një marrëveshje tregtare në të cilën udhëheqësit shqiptarë do të jepnin një leje ndërtimi për “një kullë në Tiranë”./vizionplus.tv




