Subscribe

5 ditë pas zgjedhjeve për bashkinë e Kukësit, lideri i opozitës Sali Berisha komentoi për herë të parë humbjen e thellë të zgjedhjeve në një bashki, duke akuzuar qeverinë për tjetërsim të vullnetit të qytetarëve.

 

Në konferencën e përjavshme me gazetarët Berisha deklaroi se thellimi i diferencës mes opozitës dhe mazhorancës nga 2 mijë vota në 14 maj, në 5.500 vota pas skandalit të ish-kreut të bashkisë Safet Gjici shpjegohet me fenomenin e blerjes së votave.

 

SALI BERISHA

“Belinda Balluku, Taulant Balla, janë marrë me shpërndarje parash 1 javë rresht me thasë në qarkun e Kukësit. Në Kukës nuk përcaktoi rezultatin vota e qytetarëve, por rezultatin e përcaktoi qartësisht industria e blerjes së votës.”

 

Pas humbjes së 14 majit dhe zgjedhjeve në Rrogozhinë e Kukës Berisha përsëriti se zgjedhje të lira me Edi Ramën kryeministër nuk mund të ketë.

 

“Pra, çfarë mbetet? Mbetet të flasin qytetarët. Përgjegjësia është një: që duhet ngritur sa më shpejt në protesta.”

 

Nga ana tjetër Berisha ironizoi vendimin e Lulzim Bashës për të përjashtuar nga grupi 11 deputetë.

 

“Në historinë politike të Shqipërisë, askush nuk ka shkelmuar mbi dinjitetin e vet siç ka shkelmuar ky njeri. Por është zgjedhja e tij. Fajin e ka vetë!”

 

Sipas Berishës përjashtimi i 11 deputetëve është një tjetër akt që tregon se Lulzim Basha po përdoret nga lideri i mazhorancës Rama për të përçarë opozitën.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *