Lideri i opozitës Sali Berisha mbrojti sot aksionin e deputetëve për bllokimin e parlamentit, duke e cilësuar atë një betejë politike të suksesshme. Gjatë fjalimit para demokratëve nga dritarja e shtëpisë së tij, Berisha solli me vëmendje se barrikadat me karrige e tymueset bënë që kërkesat e opozitës dhe të drejtat e saj kushtetuese të dëgjohen nga të gjithë, e veçanërisht nga faktori ndërkombëtar.

“Ku jemi sot? Sot në këtë betejë opozita është krejt tjetër.  Sot mbarë bota mësoi se Edi Rama i zhytur në afera të tmerrshme korruptive është i gatshëm të asgjësojë parlamentin për të mos u hetuar.

Gjithë bota mësoi se Edi Rama i tmerruar nga vendosmëria e opozitës për të rikthyer zgjedhjet e lira, mësoi se ka nisur reformën me peng Bashën, me turpin e politikës shqiptare në 32 vite. ”

Berisha theksoi se edhe organizmat ndërkombëtare kanë bëre apel për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.

“Dy ditë më parë institucioni më i specializuar në botë për zgjedhjet e lira ODIHR lëshoi një thirrje, dëgjoi zërin e deputetëve të opozitës, i tha Edi Ramës se loja me turp opozitën, se loja me peng opozitën nuk kapërdihet.”

Lideri i opozitës Berisha u bëri apel qytetarëve të ngrihen kundër qeverisë Rama, për të ndryshuar të ardhmen e tyre.

“Shqiptarë, qytetare dhe qytetarë, për dinjitetin tuaj, për dinjitetin e vendit tuaj, të ngriheni në këmbë dhe të kërkoni drejtësi kundër Edi Ramës, të kërkoni drejtësi ndaj këtij kryekorruptori. Mos prisni që Edi Ramën ta ndëshkojë Damani. Damani është një skllav i tij i mjerë”

Prej kohësh lideri i opozitës Sali Berisha ka artikuluar akuza të ashpra ndaj drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, si prokurori që mbron aferat e qeverisë socialiste.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *