Partia Demokratike nuk e pranon humbjen e thellë në këto zgjedhje dhe për ta kundërshtuar rezultatin, kryetari Sali Berisha njoftoi protestë kombëtare të premten, në ditën që Tirana do të mikpresë Samitin e Komunitetit Politik Europian.
“Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet në datën 16, në orën 17:00 në bulevardin zogu i parë për të sensibilizuar opinionin publik botëror mbi përbindëshin elektoral Edi Rama që nuk respekton asnjë rregull, asnjë ligj kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjedhje. Protesta do të jetë paqësore, nuk do të ketë probleme që të cenojnë në shkallën më të vogël sigurinë e dinjitarëve që vijnë, por duam që ata të mësojnë se kanë qenë të ftuar nga një narkodiktator që nuk njeh ligj, as moral”, tha Berisha.
Lexo edhe :
Opozita pretendon se vullneti i lirë i qytetarëve nuk është ai që tregojnë shifrat e dala gjatë numërimit të votave për shkak të angazhimit, që sipas Berishës, bandat kriminale patën në këtë proces elektoral.
“Kurrë ndonjëherë bandat nuk kanë sjellë kaq shumë përfaqësues të tyre në Parlament sa këtë herë, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Në rrethin e Durrësit bandat punonin për deputetë të veçantë, tjetër Balla, tjetër Dyrmishi. Po këshjtu në Fier, Mallakstarë, ishin zgjedhje që u sunduan si asnjëherë më parë nga vrasës, serial killer, trafikantë, dhunues, përdhunues. Zgjedhjet e 11 majit u karakterizuan nga blerja publike më masive në tërë historinë e zgjedhjeve në Shqipëri”, tha Berisha.
Pavarësisht se nuk e riktheu dot Partinë Demokratike në pushtet, Sali Berisha thotë se do të vazhdojë ta udhëheqë atë.
“PD ka statutin dhe do t’i përmbahet asaj, ka disa parime eprore, vota e lirë e shqiptarëve, kjo parti nis betejën për votën e lirë të shqiptarëve. Këtë betejë deri në gfitore ai që e nisi, do ta bitisi”, tha Berisha.
Strategjia për të vijuar betejën me qeverinë, tha Berisha në konferencën me gazetarët, do të marrë formë hap pas hapi./vizionplus.tv






