Subscribe

Vendimi i Komisionit Qendor të Zgjedhjeve nuk ka ndikuar në fushatën e liderit historik të Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili prezantoi sot kandidatin për Bashkine e Lushnjës, Eduard Sharka.

 

Para demokratëve të Lushnjës, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka marrë peng logon e Partisë Demokratike.

 

“Kjo fushatë ka një specifikë, ne hymë në këtë fushatë totalisht duke na pasur konfiskuar ata që meritojmë, ato që na njeh ligji dhe kushtetuta. Edi Rama konfiskoi logon e partisë, duke përdorur dy pengje, por unë u them këtu; lidhjet e tyre janë lidhje krimi dhe do të ju them një gjë nga eksperienca ime: lidhjet e krimit janë lidhjet më të tmerrshme të njeriut dhe të tilla janë lidhjet e Edi Ramës me Lul Bravën dhe Alibashën”, tha ai.

 

Por pavarësisht kësaj situate, Berisha u bëri apel demokratëve dhe qytetarëve që në 14 maj të reagojnë me votë kundër keqqeverisjes.

 

“Zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhjet që ndajnë historinë sepse ne duhet të ngrihemi me të gjithë forcën tonë dhe të ndalojmë këtë katastrofë, shkretim të kombit dhe vendit tonë”, shtoi ai.

 

Berisha akuzoi qeverinë se për shkak të korrupsionit të saj qytetarët kanë sot pagat më të ulëta në rajon. Për të ilustruar këtë akuzë, Berisha përmendi edhe arrestimin e Kreut të Bashkise Bulqizë një ditë më parë.

 

“Arrestuan mbrëmë për një tender 2 mln euro, narkomanin e Bulqizës? A e dini ju pse e arrestuan? E arrestuan se nuk pranoi të largohej, donte të kandidonte patjetër dhe ja mbanin dosjen. Por ja ku e keni kryebashkiakun e Fierit, i cili tokën bujqësore e shpall tokë truall për të vjedhur, për të ndarë para. Burgosen vartësit, nuk burgoset ai që është kryesori. Këta vjedhin, vjedhin të gjithë. “

 

Ashtu si një vit më parë në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, Sali Berisha nuk e ka logon e Partisë Demokratike, ndaj ai do të hyjë në garën për pushtetin vendor me koalicionin “Bashkë Fitojmë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *