Rreth 51 mijë demokratë votuan të shtunën për të zgjedhur mes 289 kandidatëve ekipin e deputetëve të PD-së në parlamentin e ardhshëm.
Kjo është pjesëmarrja më e lartë prej vitit 2013, kur Partia Demokratike aplikoi parimin “një anëtar, një votë” në garën mes Lulzim Bashës dhe Sokol Olldashit.
Por procesi nuk shkoi pa probleme. Votimi u shpall i pavlefshëm në 3 degë: në Konispol, Vorë dhe Paskuqan, ndërkohë që vetë kryetari i PD-së, Sali Berisha, pranoi se pati probleme me listat e votimit.
“Proces të përsosur nuk ka dhe nuk mund të ketë. Por kërkoj ndjesë të gjithë atyre që u paraqitën për të votuar dhe nuk votuan dot për shkak të listës ose mungesës së dokumenteve. Ju kërkoj shumë ndjesë dhe mendoj se PD do të bëjë gjithçka që kjo të mos ndodhë,” tha Berisha.
Procesi i primareve tregoi se figurat më të njohura të PD-së në publik apo politikanët që prej vitesh kanë bërë beteja në PD janë ndër më të votuarit. Mjeku Ilir Alimehmeti, deputetja Jorida Tabaku dhe Grigels Muçollari janë ndër 5 emrat më të votuar në Tiranë. Igli Cara, i cili garoi me Sali Berishën për Bashkinë e Durrësit në vitin 2023, është më i votuari në Durrës.
Deputetja Ina Zhupa është më e votuara në Vlorë, Luan Baçi, i cili organizoi foltoren e dytë të Sali Berishës në vitin 2021, është ndër më të votuarit në Fier. Deputeti Bledjon Nallbati, i cili u bashkua me Berishën një vit më parë me grupin Bardhi, është më i votuari në Korçë. Në Berat, më i votuari është Zija Ismaili, i cili në 2023 garoi për bashkinë me Sali Berishën dhe Rithemelimin.
Shumica e kryetarëve të degëve, të cilët dhanë dorëheqjen për të marrë pjesë në primare, janë renditur tek më të votuarit, pasi ata kanë grumbulluar të gjitha votat e degës që kanë drejtuar.
Surprizë ishte rezultati i ish-kryetarit të degës së Kavajës, Hysen Kadiu, i cili ka rezultuar më i votuari në primaret e qarkut të Tiranës, edhe pse pak njihet në publik. Ish-kryetari i degës së Lezhës, ish-gjyqtari Gjin Gjoni, ka dalë më i votuari në Lezhë. E njëjta gjë ka ndodhur me Bledi Hmiçin në Elbasan, i cili është renditur i dyti, dhe me Atird Hoxhën në Vlorë.
Bie në sy se më pak vota kanë marrë deputetët aktualë që iu bashkuan vonë Sali Berishës. Ori Nebiaj në Tiranë ka marrë 47 vota, ndërsa Kreshnik Çollaku në Dibër ka marrë 68, duke mos kaluar as pragun minimal.
Por rezultati i primareve nuk përcakton renditjen e secilit kandidat në listë dhe vendimin final se cili do të jetë në listën e sigurt e cili në listën e hapur do ta përcaktojë kryesia më 12 mars.
“Unë gjykoj se vlera e parë e madhe e primareve është të bësh një listë të hapur dhe transparente. Kjo është një vlerë e jashtëzakonshme. Dhe u garantoj se është 100 herë më e mirë se lista që mund të formuloja unë me bashkëpunëtorët e mi. Kështu që në këtë aspekt ajo shërben shumë si orientues, si kriter,” tha Berisha.
Në pjesën e sigurt të listës së PD-së janë 19 drejtuesit politikë në 12 qarqet e vendit, të cilët nuk u futën në primare, por edhe aleatët, të cilët deri më tani kanë 7 deputetë të sigurt, por do të kenë kandidatë edhe në pjesën e hapur të listës.
/vizionplus.tv





