Partia më e madhe e opozitës zhvilloi mbledhjen e parë të deputetëve pas pushimeve te fundvitit për të diskutuar strategjinë e saj në parlament dhe organizimin e protestave kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha përsëriti se beteja kryesore në parlament do të jete në mbështetje të kërkesës së SPAK-ut për imunitetin e numrit 2 të qeverisë Belinda balluku.
“Kryehajduti i kombit ka bllokuar procedurën kushtetuese, detyrimin kushtetues për të hequr imunitetin deputetëve, ministrave që akuzohen nga organet e drejtësisë për vjedhje, për korrupsion, për shpërdorim. Ky është një akt antikushtetues me pasoja shumë dramatike për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Berisha.
Në mbledhjen e grupit të deputetëve, Berisha deklaroi se përgjegjësi real për çështjet që SPAK-u po heton në lidhje me tenderat në infrastrukturë apo tenderat në shoqërinë e informacionit është vetë kryeministri Edi Rama, ndaj dhe opozita nuk do të tërhiqet deri në largimin e tij.
“Çdo ditë që kalon është një ditë që nuk ka legjitimet për të. Nuk ka legjitimitet kurrë një njeri që shndërron zgjedhjet në farsë. Nuk ka legjitimitet kurrë një qeveritar që vjedh qytetarët. Nuk ka legjitimitet kurrë një qeveritar që shkel ligjin dhe nxjerr imunitetin si mburojë. Duhet me çdo kusht të bëhet përgjegjës para ligjit. Le të shkojë ku të dojë, në qiell dhe në tokë, vrimë miu nuk do të gjejë, në rast se vazhdon të bllokojë Kushtetutën dhe ligjin”, tha Berisha.
Kryetari i PD, Sali Berisha, ka lajmëruar se opozita ka vetëm një qëllim: largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që të cojë vendin në zgjedhje të parakohshme.





