Subscribe

Pasi votoi pro heqjes së imunitetit të socialistit Arben Ahmetaj, lideri i opozitës, Sali Berisha, deklaroi se përgjegjësi kryesor për çështjen e inceneratorëve është kryeministri Edi Rama.

 

Gjatë një konference me gazetarët, Berisha analizoi çdo hallkë të procesit të ndërtimit të 3 inceneratorëve, duke nisur nga procedura me negociata të mbyllura tek miratimi i 17 vendimeve brenda një dite, për të akuzuar shefin e qeverisë, Rama, për këtë çështje.

 

SALI BERISHA

“A mund të ishin Zoto, Mërtiri dhe Gugallja, pronarë të dy djegësave, Elbasanit, Fierit dhe më vonë të Tiranës në këtë mënyrë? Kurrën e kurrës. Duhej që ose qeveria të përbëhej nga njerëz që kanë humbur çdo fakultet mendor, dhe të tillë nuk janë. Duhet të ishin magjistarë, por ata magjistarë nuk janë. Kjo ndodhi sepse ndërmarrja ishte e Edi Ramës..”

 

Sipas ish-kryeministrit Berisha dy biznesmenët Mertiri e Zoto nuk kishin mundësi të detyronin qeverinë të shpallte gjendjen e emergjencës kombëtare për mbetjet.

 

“Është banale të përflitet për sipërmarrje Zoto-Gugallja-Mërtiri. Kjo është sipërmarrja Rama-Veliaj-Agaçi-Gjiknuri..”

 

Berisha ka artikuluar akuza edhe ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në lidhje me inceneratorin e Tiranës.

 

“Erion Veliaj, në vitin 2016, ndonëse e ka mohuar publikisht disa herë se është iniciator i djegësit të Tiranës, është e faktuar se ai është propozuesi, se ai është iniciatori, se ai ka dorëzuar të paktën katër kërkesa në Ministrinë e Financave për miratimin e projektit të djegësit të Tiranës. Një për Shkëlqim Canin dhe tre për Arben Ahmetajn.”

 

Berisha paralajmëroi protesta kundër qeverisë për çështjen e inceneratorëve.

 

“Në asnjë vend të botës, një qeveri që ka bërë këtë, nuk qëndron. Dhe nëse qëndron, qëndron për dobësi të opozitës. Ne do u drejtohemi shqiptarëve për të kërkuar largimin e kësaj qeverie me protesta.”

 

Prej 6 vitesh, çështja e inceneratorëve ka qenë në qendër të betejës së opozitës kundër qeverisë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *