Berisha nis fushatën në Elbasan, kreu i PD: Pagat dhe pensionet do t’i bëjmë më të lartat në rajon
Nga Olta Blaceri
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nisi fushatën elektorale nga Elbasani, duke zhvilluar takimin e parë me pensionistët.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se në 12 vite ka lënë pensionistët në kufijtë e varfërisë, pasi edhe indeksimi që qeveria ka bërë është disa herë më i ulët se inflacioni i produkteve bazë, për të cilat shpenzojnë kryesisht pensionistët. Sipas Berishës, sot një pensionist blen më pak produkte sesa në vitin 2013, kur qeveria e PD u largua nga pushteti.
“Sot çdo pensionist merr 30 përqind më pak, po të kemi parasysh edhe kursin e këmbimit. E vërteta është se çmimet e ushqimeve bazë janë rritur dhe, krahasuar me çmimet në vendet e BE, janë nga 10 deri në 250 përqind më të larta,” tha Berisha.
Kryetari i PD solli në vëmendje se Mali i Zi sot i ka pensionet 310% më të larta, Serbia i ka 270% më të larta, ndërsa 280% më shumë merr një pensionist në Maqedoni sesa një pensionist shqiptar. Sipas Berishës, buxheti i vendit i ka mundësitë për rritjen e pensioneve, pasi 8.2 miliardë euro mjaftojnë edhe për investime, edhe për rritjen e pensioneve.
“Ku shkojnë këto? Këto shkojnë në një grusht kompanish që ndajnë paratë me qeverinë. Bëhet tenderi, shembulli, tuneli i Llogarasë. Ofron një kompani me 130 milionë euro. Jo, thotë, nuk fiton. Përsëritet tenderi, fiton kompania me 180 milionë euro. E ndërton po kjo kompani që ofroi 130 milionë euro. U them unë që në mënyrë absolute çdo tender në këtë mënyrë e bëjnë. Sill kaq ofertën ti, dhe pastaj e ndajmë bashkë. Pastaj ku mbetet për pensionistët?” shtoi kreu i PD.
Berisha shfrytëzoi takimin në Elbasan për të nisur shpjegimin e programit elektoral të PD.
“Ne kemi vendosur, së pari, të vendosim minimumin jetik për çdo shqiptar: 200 euro vitin e parë, si hapin e parë. Dhe mbi këtë 200 euro do të llogarisim pensionet. Ne do të bëjmë gjithçka që pagat dhe pensionet të jenë më të lartat në rajon,” përfundoi Sali Berisha.
Prej muajsh, Partia Demokratike është fokusuar te nevoja për rritjen e pensioneve, duke theksuar se shtresa e pensionistëve do të jetë në qendër të betejës elektorale të 11 majit. /vizionplus.tv




