Subscribe

Demokratët e drejtuar nga Sali Berisha kanë mbledhur 32.535 firma në të gjithë Shqipërinë, për të mbështetur koalicionin, me të cilin do të garojnë në zgjedhjet e 14 majit.

Këto firma i krijojnë mundësinë liderit historik të PD, që të krijojë një koalicion me aq parti sa ka marrëveshje, edhe nëse ato janë parti që nuk kanë përfaqësim në parlament.

 

SALI BERISHA

“PD hyn në këto zgjedhje në koalicion.”

 

Afati për regjistrimin e koalicionit përfundon pasnesër, por ende Berisha po negocion me aleatët, për formulën se si do të paraqiten në 14 maj. Paradite ai është takuar me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për të diskutuar strategjinë për zgjedhjet lokale.

 

SALI BERISHA

“Ka një koalicion me Ilir Metën, të parin fare, sipas të cilit, Partia e Lirisë angazhohet të mbështesë kandidatët tanë në të gjithë Shqipërinë. Ky koalicion do njohë zhvillime të tjera të reja dhe do komunikohen nesër zhvillimet e reja të këtij koalicioni.”

 

Dalja në koalicion ishte një prej dy mundësive që kodi zgjedhor i lejon Sali Berishës dhe demokratëve që e mbështesin të garojnë në zgjedhjet lokale, pasi KQZ vendosi të mos pranojë kërkesën e vetë Berishës, për t’u regjistruar si kryetar i PD. Por Berisha akuzoi ashpër Enkelejd Alibeajn dhe Lulzim Bashën, që kërkojnë të regjistrojnë Partinë Demokratike në KQZ.

 

SALI BERISHA

 

“Nuk ka në historinë e btoës një autorizim të vlefshëm, nga i cili ka dhënë dorëheqje që nga dita e dorëheqjes së tij e mbrapa. Këto janë testamente të shëmtuara politike të njerëzve që nuk kanë asnjë moral, të pengjeve që shfrytëzohen në mënyrën më të turpshme, të njerzve që nuk kanë asnjë dinjitet. Së dyti, nuk ekziston në asnjë ligj dhe Kushtetutë, që zyrtari që jep dorëheqjen, duhet ta regjistrojë dorëheqjen në gjykatë. Këtu tejkalohet. Siç bën Edi Rama me Lulzim Bashën që i thotë edhe je edhe s’je. Edhe i dorëhequr, edhe i kallur dhe i pakallur politikisht.”

 

Ashtu si Sali Berisha edhe Ilir Meta preferoi të mos japë detaje, për bisedimet me aleatin e tij.

 

ILIR META

KRYETAR I PARTISE SE LIRISE

“Në datën 15 maj shumica e kryetarëve të bashkive në gjithë Shqipërinë i përket ndryshimit dhe opozitës të bashkuar dhe pa asnjë diskutim e shumica dërrmuese e këshillave bashkiakë do i përkasë opozitës”

 

Sipas kodit zgjedhor, një koalicion që të regjistrohet në zgjedhje, duhet të mbështetet nga po aq deputetë sa partia ka anëtarë, ose duhet të mbledhë firmat e 1% të zgjedhësve, në çdo bashki. Demokratët e kanë përmbushur këtë kriter, duke mbledhur firmat, të cilat sot janë dorëzuar në selinë qendrore të PD.

 

Një tjetër detyrim, që vendos kodi, është që koalicioni duhet të ketë një listë të vetme për këshillat bashkiakë, që detyron Sali Berishën të negociojë me çdo parti, për vendet e sigurta që ato do të kenë në secilën bashki. Deri tani duket se zyrtarizimi i koalicionit, do të varet pikërisht nga këto negociata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *