Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u bëri apel qytetarëve ti bashkohen protestës së opozitës pasditen e të hënës. Gjatë një konference me gazetarët, Berisha theksoi se 7 tetori duhet të jetë dita e revoltës së qytetarëve kundër korrupsionit, kundër gjendjes ekonomike, kundër padrejtësive; duke theksuar se marshimi i së hënës shënon nisjen e një përpjekje për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike.
“Qytetarë dhe qytetare, dita e hënë, ora 18 është radha jonë, është radha e guximit tonë, është radha e idealeve tona. Është radha e fitores sonë. Ndaj dhe ju ftoj nga të katër anët e vendit, por edhe vende të tjera, të bashkohemi në Tiranë në marshimin tonë për qeveri teknike, zgjedhje të lira, një Shqipëri pa burgje dhe persekutime politike”, tha Berisha.
Krijimi i një qeverie teknike nuk është një kërkesë e re e opozitës, por lideri i opozitës ka theksuar se këtë herë PD nuk tërhiqet
“Ne jemi të bindur se Edi Rama nuk e don këtë gjë, por ju garantoj se ne nuk do heqim kurrë dorë prej saj”, u shpreh ai.
Lideri i opozitës Berisha ka preferuar të mos tregojë detaje për protestën e 7 tetorit duke e lënë skenarin në dorën e qytetarëve
“Në tërësi është konceptuar si një protestë në të cilën qytetarët me protestën e tyre i tregojnë regjimit se janë zotër të këtij vendi”, tha kryedemokrati.
Në mbledhjen e këshillit kombëtar të PD është vendosur që protesta të nisë në orën 18.00 nga godina e kryeministrisë dhe të shpërndahet në rrugët e Tiranës duke paralizuar qarkullimin ndërkohë që fjalime politike nuk do të ketë. /vizionplus.tv