Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pak orë pas publikimit të lajmit se SPAK po heton ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Në një konferencë me gazetarët, Berisha deklaroi se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka dosjet më të rënda, duke lajmëruar se përfundimi i tunelit të Llogarasë do të kërkojë edhe 50 milionë euro të tjera, por nga ana tjetër kryetari i PD-së u tregua skeptic ndaj hetimit.
“Lubia i ka dosjet më të rënda shumë se Erion Veliaj. Të jemi realistë. Ajo ka disponuar 12 miliardë euro, ai 5 miliardë euro. Kështu që ai tuneli i Llogarasë është si puna e Nesti Angonit. Kompania ishte e dytë me 130 milionë euro, kompania tjetër me 180 milionë… dhe tani janë edhe 50 milionë euro, se po shkon 230 dhe prisni ju se këta janë të paimagjinueshëm.”, tha Berisha.
Berisha shpjegoi se është skeptik ndaj hetimit, duke sjellë si shembull dënimet për inceneratorin e Tiranës. Sipas Berishës, asnjë prej personave në Ministrinë e Infrastruktures që kishte për detyrë të mbikëqyrte punimet në inceneratorin e Tiranës nuk u vendos para drejtësisë, edhe pse ky incinerator nuk ekziston.
“Në asnjë mënyrë, Skapi nuk i merrte dot këta. Se po të merrte këta, këta ose do bëheshin të burgosur me para, pra të paguar, do u paguante Belinda kaq milionë e kaq milionë, ose do tregonin se nuk na ka lejuar Belinda për të bërë mbikëqyrjen, dhe se paratë janë dhënë, për arsye se i ka marrë Belinda minimumi të themi… Unë them nuk i ka marrë Belinda, paratë i ka marrë Rama. Por Belinda, dorën në zjarr nuk e vë, por Belinda duke e ditur që paratë i merrte Edi Rama me Erion Veliaj një pjesë, ajo hesht.”
Berisha ndërkaq akuzoi kryeministrin Edi Rama për deklaratat e tij në lidhje me fotot nudo. Lideri i opozitës iu kundërpërgjigj rivalit politik edhe në raport me moshën e tij.
“Personalisht unë e kam ftuar Edi Ramën dhe e ftoj në çdo kohë, në çdo studio që të zgjedhë ai, dhe në çdo shesh publik, të ballafaqohemi pak dhe të shohim se kush ka, kush ka shenja të senilitetit, të rrjedhjes, dhe të vijë të ua tregojmë shqiptarëve.”
Berisha theksoi se eksperienca e tij në këtë moshë është një prej elementeve më të forta në këtë fushatë.
/vizionplus.tv