Apeli i Posaçëm pritet të shpallë këtë pasdite vendimin nëse Sali Berishës do t’i lejohet të ndjekë apo jo seancat parlamentare. Kjo ka qenë një kërkesë e përsëritur nga i hetuari i SPAK, Berisha por gjykata e shkallës së parë e rrëzoi duke e gjetur të pabazuar në ligj.

Ndërkaq, seanca në Apel zgjati rreth 2 orë e 30 minuta, ndërsa menjëherë pas saj, avokati i ish- kryeministrit tha se prokurorët, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai po e konsiderojnë Berishën si çdo qytetar tjetër duke mos marrë parasysh mandatin e tij të deputetit.

“Ju e dini që sot gjykimi ishte për kërkesën tonë që Berisha të futej në Kuvendin e Shqipërisë dhe ne paraqitëm pretendimin tonë. Ata nuk pranojnë në mënyrë në absolute. SPAK koncepton që Berisha të trajtohet nga ligji i të paraburgosurve, si një njeri i thjeshtë pa i hyrë pjesës së mandatit të tij. Kjo është strategjia e Edi Ramës dhe atyre që e kanë stisur këtë çështje”, tha Gjokutaj.

Por sipas SPAK ligji procedural i të burgosurve dhe të paraburgosurve, një status që Berisha e gëzon tashmë, nuk parashikon që këta të fundit të shkojnë në punë, cilado qoftë puna e tyre.

Në këto kushte, pritet vendimi i Apelit, përfaqësuar nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi e cila nxori nga qelia dhëndrin e ish-kryeministrit duke e lënë në arrest shtëpie.

Sali Berisha akuzohet nga SPAK për korrupsion në procedurat e privatizimit të ish- kompleksit sportiv “Partizani”./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *