Duke akuzuar qeverinë se ka dështuar në menaxhimin e pandemisë, ish-kryeministri Sali Berisha kërkoi që diçka e tillë t’i besohet presidentit Ilir Meta. Përmes një postimi në “Facebook”, Berisha tha se kryeministri Edi Rama refuzon të marrë masa sepse paratë e buxhetit nuk do që t’i hedhë për qytetarët.

 

“Ai me indeferencën e tij kriminale duke u hequr sikur nuk ka ndodhur gjë, për të marrë masa shtesë kërkon të mbulojë në prag të zgjedhjeve dështimin e tij të tmerrshëm në menaxhimin e pandemisë që ju kushtoi shqiptarëve vdekje më shumë se të gjitha kombeve tjera pas Meksikës dhe Perusë. Por kësaj i thonë le të vdesin sa më shumë shqiptarë sepse këtë ata meritojnë ose sepse mua më duhet për shkak të zgjedhjeve t’i mashtroj ata sikur gjithçka po shkon mirë. Arsyeja tjetër po kaq çnjerëzore e këtij qëndrimi të Xhahilit të Surrelit është se çdo masë mbrojtëse shtesë kërkon mbështetje buxhetore, kurse ai është i vendosur që paratë e buxhetit të mos i përdorë për mbrojtjen e jetëve dhe shëndetit të qytetarëve, por t’i ndajë deri ditën e fundit me klientelën e tij gjakpirëse.”

 

Ish-lideri demokrat kërkoi që Komiteti Teknik i Eskpertëve të shkrihet dhe në vend të tij të krijohet një Komitet Kombëtar, me në krye presidentin Ilir Meta.

 

“Kërkoj dhe njëherë: Shkrirjen e menjëhershme të kupolës së konfliktit të interesit që përdor menaxhimin e pandemisë në funksion të suksesit imagjinar të Xhahilit të Surrelit dhe krijimin me urgjencë të Komitetit Kombëtar për menaxhimin e pandemisë së COVID-19 të kryesuar nga Presidenti i Republikës. Krijimin Komitetit të Ekspertëve me specialist të shquar, vendas dhe të huaj jashtë çdo konflikti të interesit që do këshillojë Komitetin Kombëtar. Kërkesën nga Avokati i Popullit të një hetimi ndërkombëtar për përgjegjësit e keqmenaxhimit ekstrem të pandemisë COVID-19 në Shqipëri.”

 

Reagimi i Sali Berishës erdhi pas një ditë më parë u shënua një numër i lartë viktimash në Shqipëri nga koronavirusi, 21 pacientë humbën jetën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *