Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u kthye për herë të parë në parlament pas 11 muajsh mungesë, për shkak të masës së sigurisë “arrest në shtëpi” të vendosur nga Gjykata e Posaçme në dhjetorin e vitit të kaluar.
Në fjalën e parë në sallën e kuvendit, kryetari i PD Berisha solli në vëmendje një prej seancave më të tensionuara të kësaj legjislature, mbledhjen e parlamentit gjatë së cilës shumica socialiste votoi për t’i hequr atij imunitetin me kërkesën e SPAK.
“Ju më 21 dhjetor votuat për të kompletuar grushtin e shtetit ndaj opozitës shqiptare. Mirëpo, sot ja ku jam. Unë vij këtu me mesazhin e fitores. Vij këtu fitimtar, vij këtu për të udhëhequr opozitën drejt fitores”, tha Berisha.
5 muaj larg zgjedhjeve parlamentare, Berisha shfrytëzoi buxhetin për vitin e ardhshëm për të akuzuar shumicën socialiste se ka lënë pa mbështetje shtresat më të varfra të shoqërisë shqiptare, pensionistët dhe familjet që marrin ndihmë ekonomike.
“8.2 miliardë euro, po si mund të votoni ju një buxhet të tillë dhe të mos i rrisni të paktën 20 përqind pensionet në Shqipëri. Sepse ju zgjidhni midis vjedhjes dhe pasurimit tuaj dhe kafashatës së qytetarëve. Si mund të votohet buxheti 8.2 miliardë dhe të mos vendoset minimumi jetik 200 euro për shqiptarët?”, deklaroi Berisha.
Në emër të mazhorancës me kryetarin e PD replikoi kreu i komisionit të ekonomisë Eduard Shalsi, i cili i kujtoi Sali Berishës dështimet e qeverisjes së tij në raport me shtresat në nevojë dhe ekonominë e vendit
“Berishja është një rudiment politikë dhe ky rikthim është konfirmim i dështimit të tij politikë. E humbe shansin Sali”, tha Shalsi.
Në 11 muajt e fundit jo pak gjëra kanë ndryshuar brenda Partisë Demokratike. Sali Berisha me vendim të gjykatës është kryetar i PD dhe parlamenti pas 3 vitesh anuloi vendimin për përjashtimin e tij, duke e kthyer në grupin parlamentar të PD. Për këtë arsye internimi i tij në fund të sallës së parlamentit sot mori fund dhe Sali Berisha u kthye në fillim të sallës, duke pasur në krah sekretarin e përgjithshëm Flamur Noka, e nënkryetarët Bardhi e Gjekmarkaj.
Kryetari i PD Sali Berisha është marrë i pandehur nga SPAK me akuzën e korrupsionit në çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportive Partizani, nga i cili ka përfituar dhëndri i tij Jamarbër Malltezi./vizionplus.tv





