Ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje shefit të qeverisë Edi Rama të çojë çdo fakt kundër tij në prokurorinë e posaçme kundër korrupsionit.

 

Gjatë një komunikimit me gazetarët, Berisha ka deklaruar se të gjitha thirrjet e liderit të mazhorancës drejtuar SPAK-ut, janë një lëvizje politike për të hequr vëmendjen nga situata e vështirë ekonomike dhe abuzimet e qeverisë.

SALI BERISHA
ISH-KRYEMINISTER I SHQIPERISE
“I them Edi Ramës çoji të gjitha në SPAK dhe ku të duash, siç e shihni e gjithë kjo fushatë ka vetëm një qëllim të mbulojë vjedhjet monstruoze që po dalin çdo ditë të Edi Ramës.”

 

Berisha ka theksuar se nuk i druhet SPAK-ut edhe nëse prokurorët nisin hetim ndaj tij.

 

“Kam zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin, për mua ligji është e vërteta në veprimtarinë time si kryeministër por në të gjithë jetën time politike.”
Ish-kryeministri ka analizuar një nga një të gjitha akuzat e shefit të qeverisë Rama, duke nisur nga vendimi i SHBA për ta shpallur “non grata”.

 

Sipas Berishës, vendimi i sekretarit amerikan të shtetit kundër tij ka ardhur si pasojë e raporteve që ka dërguar vetë lideri i mazhorancës Rama.

 

“Ai është autor kryesor që ka mashtruar departamentin e shtetit për Sali Berishën. Tani çfarë kërkon ai? I thotë drejtësisë hetoni shpifjet e mia, i thotë hetoni se çfarë gënjeshtrash kam bërë unë në departamentin e shtetit, se e sheh që laku po i ngushtohet gjithnjë e më shumë.”

 

Ndërsa në lidhje me tragjedinë e Gërdecit dhe protestën e 21 janarit ku mbetën të vrarë 4 qytetarë, Berisha solli në vëmendje se ngjarjet janë hetuar.

 

“E vërteta është që për të dy ngjarjet ka një hetim nga Ina Rama. Ajo që nuk është hetuar në 21 janar është përgjegjësia direkte e Edi Ramës. Përsa i përket Gërdecit, Edi Rama prej 9 vitesh ka ruajtur të njëjtin kualifikim aksident teknologjik.”

 

Pasi ka sqaruar akuzat ndaj tij, Sali Berisha ka listuar çështjet për të cilat mban përgjegjësi kryeministri Edi Rama, duke nisur nga inceneratorët. Sipas ish-kryeministrit, kryetarë bashkie, ministra dhe sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë, Engjëll Agaçi, janë përfshirë në këtë aferë.

 

Berisha denoncoi edhe çështjen e parkut të Butrintit, duke deklaruar se në këtë zonë do të ndërtohet një resort. Sipas liderit historik të PD, të gjitha thirrjet e kryeministrit për SPAK-un synojnë të ushtrojnë presion mbi opozitën, por sipas tij kjo nuk do të funksionojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.