Rizgjedhja e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike nuk ka arritur të bashkojë demokratët dhe as deputetët e kësaj force politike. Megjithatë të gjithë deputetët, përfshi edhe ata që 9 muaj më parë mbështetën përjashtimin e tij, e njohin peshën e Berishës brenda Partisë Demokratike.

 

Ish-nënkryetarja e PD, Grida Duma, deklaroi se e njeh sot Berishën si kryetar të PD, pa harruar të nënvizojë se partia dhe vetë ai, duhet të gjejnë një zgjidhje për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara pas shpalljes “non grata”.

 

“Kanë vendosur demokratët, nuk kam ndonjë koment për këtë. Unë e njoh Sali Berishën si lideri që krijoi PD-në. Do respektoj personalitetin e tij. Unë kam një mesazh urimi për të, që nga momenti i parë që Sali Berisha, për dinjitetin e tij thotë ai, të zgjidhte dhe çështjen gjyqësore për ‘non-gratën’. Berisha nuk ka nevojë që ta respektosh thjesht si kryetar. PD do një zgjedhje të madhe drejt të ardhmes, dhe i jam drejtuar gjithmonë qartësisht. Çështja e non-gratës do na jetë një shpatë për zgjerimin e PD-së.”– tha Grida Duma.

 

Nga ana tjetër deputetja Dhurata Çupi thekson se lajmi i keq i procesit të 22 majit është se PD mbeti e përçarë.

 

“Unë nuk e kam mohuar asnjëherë qe zoti Berisha ka mbështesit e tij, por Partia Demokratike nuk është e bashkuar, sot dhe ky është lajm i keq.”- tha Dhurata Çupi.

 

Por mes deputetëve ka edhe politikanë që besojnë se kreu i ri i PD do të përcaktohet nga gjykata.

 

“Sali Berisha është një figurë shumë e fortë në Partinë Demokratike, një njeri që ka mbështetjen e një shumice të madhe njerëzish. A është kryetar i PD, atë do ta përcaktojë vendimi i gjykatës.”– tha deputeti demokrat, Kreshnik Çollaku.

 

Aktualisht në krah të Sali Berisha janë rreshtuar 17 deputetë, ndërkohë që 35 të tjerë nuk janë bërë pjesë e asnjë procesi të drejtuar nga Sali Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *