Subscribe

Pak jave pas sekuestrimit të 613 kilogramëve kokainë, më e madhja e kapur ndonjëherë në vendin tonë, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i kërkon Prokurorit të Krimeve të Rënda, të thërrasë kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe deputetin Sali Berisha për të dëshmuar. Ne letrën dërguar prokurorit Besim Hajdarmataj, ministri i brendshëm thotë se ish-kryeministri Berisha dhe lideri i opozitës Basha duhet të merren në pyetje si persona që kanë dijeni per poseduesit e ngarkesës, pasi kane bere deklarata publike.

 

 “Nga këto deklarime publike bie veçanërisht në sy fakti se nga zoti Sali Berisha dhe zoti Lulzim Basha pretendohet qartë që ata kanë dijeni për fakte konkrete lidhur me klanet e trafikut të drogës në Shqipëri. Po sipas këtyre deklarimeve publike, rezulton se të dy këta persona kanë veçanërisht dijeni mbi poseduesit dhe përfituesit e sasisë prej 613 kilogram kokainë të sekuestruar së fundmi në Portin e Durrësit”.

 

Xhafaj thekson se deklaratat e Berishës dhe Bashes do të të ndihmonin për hetimin e ceshtjes. Madje ai kujton detyrimin qe kane këta persona sipas ligjit.

 

“Ndërkohë unë njoh dhe respektoj faktin se zyra që ju drejtoni është organi kompetent që Kushtetuta dhe ligji e ngarkojnë të marrë dhe të vlerësojë ligjërisht deklarimet e këtyre zotërinjve dhe vërtetësinë e tyre, ndaj është përgjegjësia juaj institucionale dhe detyrimi kushtetues e ligjor i zotit Sali Berisha dhe i zotit Lulzim Basha që t’i paraqesin organit që ju drejtoni, faktet dhe provat mbi trafikun e drogës në Shqipëri, që ata pretendojnë në deklarimet e tyre publike.”

 

Pas letrës së ministrit të Brendshëm Xhafaj drejtuar prokurorit Hajdarmataj, reagoi edhe kreu i opozitës Lulzim Basha.

 

Sasia rekord e kokainës u sekuestrua më 28 shkurt në zonën e Maminasit në një kontenier të ngarkuar me banane i nisur nga Kolumbia për llogari të kompanisë ‘Arbri Garden’. Deri tani të arrestuar janë vetëm administratori dhe shoferi i kompanisë, ndërsa pronari Arbër Çekaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *