“Pensionistët jashtë buxhetit”, Berisha: Janë lënë në harresë edhe familjet me ndihmë ekonomike

Partia Demokratike ka vendosur ta përqendrojë debatin për projekt buxhetin e vitit 2025 tek parashikimet që ligji më i rëndësishëm financiar i vitit parashikon për shtresat e shoqërisë që përballen me shumë vështirësi ekonomike; pensionistët dhe familjet që marrin ndihmë ekonomike.
Në një konferencë me gazetarët, kryetari i PD Berisha, vuri në dukje se buxheti më i madh që ka pasur Shqipëria nuk parashikon rritje pensionesh.
“Për buxhetin mund t’i japësh shumë etiketa, por më çnjerëzor, Shqipëria nuk ka patur kurrë të tillë”, tha Berisha.
Berisha vuri në dukje se në këtë buxhet prej 8.2 miliardë eurosh, për pensionistët janë lenë vetëm 16 milionë euro. Kryetari i PD Berisha solli në vëmendje se në 10 vitet e fundit nëpërmjet indeksimeve pensioni mesatar vërtet është rritur 27%, por inflacioni është rritur me 34% dhe inflacioni i ushqimeve bazë është rritur me 50% ndaj sipas tij fuqia blerëse e çdo qytetari që ka dalë në pension është më e ulët se në vitin 2014.
“Pensionisti dhe pensionistja që merr sot bukën më shtrenjtë se pardje, që merr sot një pension që blen të paktën 20% më pak seç blinte në vitin 2013, kanë të drejtë ti thonë, në këto 8 miliardë cila është pjesa jonë. Pse në Maqedoni marrin 250 % më shumë, pse në Mal të Zi, marri 280% më shumë, pse Kosova i rriti me 20%, dhe dorëzoi nga buxheti në fondin e pensioneve 100 mln euro. Ishte 500, e bëri 600”, u shpreh ai.
Sipas Berishës ky projekt buxhet lë jashtë vëmendjes familjet që marrin ndihmë ekonomike
“Për 62 mijë familje në ndihmë ekonomike, të cilët de facto janë në varfëri ekstreme, nuk shtohet asnjë qindarkë”, tha kryedemokrati.
Kryetari i PD Berisha nuk sqaroi nëse opozita do të marrë apo jo pjesë në diskutimin e buxhetit në parlament; por ai sqaroi se demokratët do të cojnë dy amendamente një për vendosjen e minimumit jetik dhe një për statusin e minatorëve.
“Minimumin jetik 200 euro, të llogaritur nga Avokati i Popullit dhe ILO. Jorida Tabaku ka bërë një amendament për minatorët. Këto janë dy amendamentet, por kryeamendamenti është ai i minimumit jetik”, deklaroi Berisha.
Gjatë kësaj jave PD do të mbledhë deputetët për të vendosur nëse do të marrë pjesë apo jo në diskutimet në parlament për buxhetin, por vendimi duket se komplikohet edhe nga fakti që 50% e grupit parlamentar është i përjashtuar deri në mesin e muajit nëntor. /vizionplus.tv




