Subscribe

Opozita përmbylli betejën për mbledhjen e provave e fakteve për parregullsitë në zgjedhjet lokale të 14 majit, duke nisur analizën për gabimet që demokratët bënë në betejën për 61 bashkitë e vendit.

 

Gjatë mbledhjes së kryesisë, lideri i opozitës Sali Berisha shfrytëzoi raportin përfundimtar të ODIHR, si një argument me shumë për të mbështetur akuzat se zgjedhjet u vodhën dhe Berisha premtoi se opozita do të denoncojë kudo qeverinë e drejtuar nga Edi Rama.

 

SALI BERISHA

 

“Kemi të bëjmë me një regjim, i cili për konjukturat gjeopolitike të kohës, pret me 16 tetor, Samitin e Berlinit. Ne e mirëpresim samitin, pa diskutim, por ne do bëjmë gjithçka për të paraqitur para audiencës së nderuar evropiane, të vërtetat e Edi Ramës dhe regjimit të tij.”

 

Por në këtë betejë elektorale përballë socialistëve të drejtuar nga Edi Rama, mësimi i parë që lideri i opozitës ka nxjerrë është se opozita duhet të bashkohet.

 

“Janë shënuar hapa konkrete me rezultate konkrete në bashkimin e deputetëve të PD, por edhe në bashkimin me aleatët tradicionalë të PD, të spektrit opozitar. Procesi i bashkimit nuk është një proces i thjeshtë, sepse nuk mund të ndodhë ndryshe veçse si një proces reflektimesh, si një proces i cili kërkon gradualitetin e tij, kërkon maturimin e tij.”

 

Mësimi i dytë është që Partia Demokratike duhet të hapet.

 

“Në përpjekjen tonë për të përmbushur misionin e vështirë në këto rrethana, ne kemi shpallur vendosmërinë tonë për hapjen dhe reformimin e mëtejshëm të PD.”

 

Prej 5 shtatorit të gjithë deputetët e opozitës, duke përjashtuar 11 mbështetës të Lulzim Bashës, janë bashkuar në betejën parlamentare, duke zhvilluar çdo javë mbledhje të përbashkëta, megjithatë ende deputetët e drejtuar nga Gazment Bardhi nuk kanë pranuar të njohin Sali Berishën si kryetar të PD.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *