Kongresi i Partisë Popullore Evropiane miratoi sot një rezolutë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri.
Nëpërmjet kësaj rezolute, Partia Popullore Evropiane shpreh shqetësimin për situatën politike dhe raportimet për keqpërdorimin e burimeve shtetërore, për blerjen e votës apo presionin mbi administratën.
Nga Spanja, Berisha e cilësoi aktin e votimit të kësaj rezolute si mbështetje për opozitën në prag të zgjedhjeve të 11 majit.
“Mendoj se sot, populli opozitar, pikërisht pak ditë para zgjedhjeve, merr një thirrje, merr një kushtrim për t’u ndarë nga të gjitha këto problematika të rënda të krijuara nga regjimi, në mënyrë që, PPE, 14 kryeministra të kësaj organizate, të mund të mbështesin Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian. Dhe, padiskutim, në mënyrë të qartë si kristali, këta presin fitoren e PD, sepse kanë besim të madh, se kjo forcë do të rivendosë, do të rikthejë shtetin ligjor dhe se procesi i integrimit me PD në drejtim është i sigurt dhe do të bëjë realitet anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, tha Berisha.
Sipas Berishës, pas këtij kongresi PD është gati për betejën e fundit për fitoren e zgjedhjeve të 11 majit.
“Në të vërtetë, bota politike, shumica e botës politike është kundër Edi Ramës, ndëshkon Edi Ramën. Dhe mos të harrojmë se janë 74 fitore të forcave të qendrës së djathtë gjatë këtij viti, dhe e 75-ta do të jetë fitorja e PD, e cila mezi pritet nga partnerët dhe miqtë tanë në PPE, në Unionin Demokratik Ndërkombëtar dhe në Qendrën Ndërkombëtare Demokristiane”, u shpreh ai.
Nëpërmjet kësaj rezolute, Partia Popullore Evropiane i bën thirrje Bashkimit Evropian, OSBE, Këshillit të Europës e institucioneve të tjera që t’i kërkojnë autoriteteve shqiptare t’i japë fund çdo veprimi të pretenduar për keqpërdorim të burimeve shtetërore, për blerjen e votës apo presion mbi votuesit.
/vizionplus.tv





