Subscribe

Ish-kryeministri, Sali Berisha, akuzoi qeverinë Rama se për 10 vite me radhë nuk rriti pagat e pensionet dhe për shkak të inflacionit, qytetarët marrin sot realisht më pak se sa merrnin në vitin 2013, kur demokratët drejtonin vendin.

 

Gjatë një takimi për problematikën e shpopullimit të vendit, Berisha deklaroi se gjatë qeverisjes socialiste 937 mijë shqiptarë janë larguar drejt BE dhe, sipas tij, një nga arsyet janë të ardhurat që janë më të ulëtat në rajon.

 

SALI BERISHA

“Ndodhi me shpejtësi një rrokullisje në paga dhe pensione më të ulëta në Europë. Edhe në Kosovë. Mjeku në Kosovë merrte dyfishin e rrogës së mjekut në Shqipëri.”

 

Berisha shpjegoi se fondet për të rritur pagat e pensionet ekzistojnë, por qeveria i shpërdoron duke e mbështetur këtë akuzë në një raport të kontrollit të lartë të shtetit.

 

“A mund ta imagjinoni ju një qeveri që vjedh dhe shperdor në 9 muaj sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit 122 miliardë lekë, 130% fondin e pagave vjetore të shqiptarëve.”

 

Një tjetër element që sipas Berishës shtyn shqiptarët të largohen nga vendi është strehimi, pasi sipas tij mafia ka hyrë në këtë sektor.

 

“Merrni Tiranën, ka treguesin më të lartë absolut në Europë për ndërtimet. E ka 2-3 herë më të lartë se shumica e kryeqyteteve të kontinentit. Në çdo vend të botës, kjo do nënkuptonte çmime të arsyeshme, por të tretat më të lartat në Europë pas Parisit dhe Mynihut. Nga të mos largohen, kur ai e sheh se nuk blen dot kurrsesi një shtëpi? Po shkoj atje, se më strehojnë, dhe i japin një strehë.”

 

Sipas liderit historik të PD, Sali Berisha, largimi i shqiptarëve është problemi kryesor me të cilin përballet vendi sot dhe e gjithë shoqëria duhet të reagojë me votë kundër qeverisjes socialiste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *