Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu ka nisur një tur në vendet e Bashkimit Europian, për t’i bindur liderët të ndryshojnë Marrëveshjen Ndërkombëtare Bërthamore me Iranin.

 

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelaren gjermane Angela Merkel, Netanjahu u shpreh se nuk është ndjerë i befasuar nga qëllimi i Iranit për të rritur kapacitetin e pasurimit të uraniumit. Sipas tij Teherani dëshiron të zhvillojë një fushatë fetare në Sirinë me shumicë sunite, duke përdorur militantët shiitë nën kontrollin e saj për të konvertuar myslimanët suni.

 

“Kjo do të nxisë një tjetër luftë fetare – këtë herë një luftë fetare brenda Sirisë dhe pasojat do të jenë shumë, shumë më tepër refugjatë. Dhe ju e dini mirë se ku do të vijnë ata”.

 

Por kancelaria Merkel u shpreh se marrëveshja bërthamore është një mënyrë për të penguar ambiciet bërthamore dhe rajonale të Teheranit.

 

Netanjahu pritet të takohet edhe me Presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministren britanike Theresa May të mërkurën, pak orë pasi autoritetet Iraniane njoftuan se kanë nisur planet për të rritur kapacitetin e pasurimit të uraniumit.

 

Britania, Franca dhe Gjermania ranë dakord për marrëveshjen me Iranin në vitin 2015 së bashku me Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara, por presidenti Donald Trump njoftoi muajin e kaluar tërheqjen nga marrëveshja duke e quajtur atë një ” të tmerrshme dhe të njëanshme”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *