Sllovenia mbështet Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian. Ky është mesazhi që mori presidenti Bajram Begaj në një vizitë zyrtare që pati në Slloveni, ku u takua me homologen e tij.
BAJRAM BEGAJ
PRESIDENT I REPUBLIKES
“Procesi i integrimit nuk konsiderohet më thjesht si një çështje teknike, por edhe si një zgjedhje e vizion strategjik. Duhet të vijojmë të bashkëpunojmë ngushtë të lidhur nga partneriteti ynë në NATO dhe interesat e përbashkëta strategjike në rajonin tonë dhe më gjerë.”
Në konferencën e përbashkët me presidenten e Sllovenisë, Begaj e vuri theksin te bashkëpunimi i mëtejshëm veçanërisht në sektorin ekonomik.
BAJRAM BEGAJ
PRESIDENT
“Vërejmë me kënaqësi një prirje në rritje të këtij bashkëpunimi, veçanërisht në fushën e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, ku pa dyshim turizmi zë një vend shumë të rëndësishëm. E sigurova Presidenten Pirc Musar që Shqipëria është e interesuar për më shumë investime sllovene në Shqipëri.”
Sipas Kreut të Shtetit, rivendosja e linjës ajrore direkte Lubjanë-Tiranë mund t’i japë një shtysë më të madhe bashkëpunimit në fushën e turizmit, por edhe ndërveprimit të bizneseve.





