Në ditën e parë të 2025, presidenti Begaj e nisi me ushatarët shqiptarë që janë me mision në vende të ndryshme në botë që ndodhen në konflikt. Në një takim online kreu i shtetit kujtoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në këto misione.
“Shqipëria është një vend i vogël, por me kontribute të mëdha për paqen dhe sigurinë. Vetë prezenca dhe shërbimi juaj, nga Kosova, në Bosnjë, nga Bullgaria, Letonia, Deti Egje, Irak, Sinai dhe deri në Sudanin e Jugut, është dëshmi e qartë e angazhimit dhe përkushtimit të vendit tonë ndaj paqes dhe sigurisë jo vetëm në rajon, por në mbarë botën”, tha Begaj.
Numri një i shtetit e vuri theksin edhe në modernizimin e infrastrukturës të Forcave të Armatosura duke kujtuar rrezikun e Rusisë sidomos pas agresionit në Ukrainë.
“Agresioni Rus ndaj Ukrainës ka ndryshuar tërësisht mjedisin e sigurisë. Kërcënimet e vjetra dhe të reja parashikojnë dhe parashtrojnë domosdoshmërinë e zhvillimit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura”, tha Begaj.
Në fund kreu i Forcave të Armatosura garantoi se Shqipëria do të jetë në krah të NATO-s sa herë që të duhet kontributi i vendit tonë.
“Dinamikat gjeopolitike kërkojnë rritjen e kontributeve tona në NATO dhe forcimin e solidaritetit tonë. Shqipëria do të vazhdojë të jetë kontributore aktive me pjesëmarrjen e saj në misione dhe operacione kudo ku të kërkohet dhe sa herë të kërkohet”, theksoi kreu i shtetit.
Në fund Presidenti Begaj tha se do të vijojë mbeshtetja financiare për ushtarakët e vendit dhe familjarët e tyre për të garantuar një zhvillimin e Forcave të Armatosura.





