Subscribe

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka mbledhur për herë të tretë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, me fokus rrezikun që vjen nga sulmet kibernetike.

 

Një vit pas agresionit të sponsorizuar nga Irani, kryetari i shtetit shqiptar ka vënë në dukje se këto sulme ende vazhdojnë, për më tepër ato janë shtuar.

 

BAJRAM BEGAJ

 

PRESIDENT I REPUBLIKES

 

“Pavarësisht masave të marra aktorët kërcënues kibernetikë, kryesisht të mbështetur dhe të financuar nga Republika Islamike e Iranit, e kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre. Sulmet kibernetike janë shtuar në sasi, por janë bërë edhe më të sofistikuara dhe më komplekse duke rritur shkallën e vështirësisë së përballimit të tyre”.

 

Presidenti nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, të cilët ndihmuan vendin tonë të përballonte sulmin e sponsorizuar nga Irani vitin e kaluar.

 

“Vlerësoj maksimalisht punën e bërë nga institucionet, të cilët në bashkëpunim me partnerët strategjikë, si SHBA, BE, NATO dhe me vende të tjera partnere e aleate, kanë bërë për arsimimin trajnimin dhe ndërgjegjësimin e specialistëve, ekspertëve dhe të të gjithë përdoruesve të cilët kanë akses në sisteme teknologjike dhe informacioni, me fokus të veçantë infrastrukturat kritike dhe infrastruktuat e rëndësishme të informacionit”.

 

Gjatë mbledhjes së këshillit është rënë dakord që institucionet e shtetit shqiptar, do vlerësojnë dhe informojnë partnerët ndërkombëtare në lidhje me kërcënimet që vijnë nga Irani, ndërkohë që nga ana tjetër, Shqipëria është e vendosur për të mos lejuar aktivitete të ndonjë grupi në dëm të sigurisë kombëtare të vendit tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *