Presidenti i Republikës, Bajram Begaj me anë të një postimi në facebook vlerësoi sakrificën e zjarrfikësve, efektivëve të Forcave të Armatosura dhe të gjithë atyre që po luftojnë me flakët e zjarreve në këto ditë të nxehta.
Presidenti apeloi për ndëshkim të keqbërësve.
Presidenti ftoi qytetarët të tregojnë kujdes, përgjegjësi dhe solidaritet, duke respektuar udhëzimet e autoriteteve dhe duke mbrojtur jetën, pronën dhe natyrën.
Më poshtë postimi i plotë:
“Në këto ditë me temperatura të larta, kur shumë zjarre kanë rënë në disa zona të vendit, zjarrfikësit, efektivët e Forcave të Armatosura dhe të gjithë ata që po luftojnë me flakët meritojnë mirënjohjen tonë.
Me guxim, përkushtim dhe sakrificë, ata po mbrojnë jetën, familjet, banesat dhe pasuritë tona.
Respekt për çdo zjarrfikës dhe efektiv që po përballet me rrezikun në vijën e parë
Keqbërësit që i vënë flakën vendit duhet të ndëshkohen ashpër dhe sipas ligjit.
Përballë kësaj situate, secili prej nesh ka një detyrë: të jemi të kujdesshëm, të respektojmë udhëzimet e autoriteteve, të mos rrezikojmë jetën dhe të bëjmë pjesën tonë për të mbrojtur komunitetin, pronën dhe natyrën.
Sot, Shqipëria ka nevojë për solidaritetin dhe përgjegjësinë e të gjithëve.”





