Bashkimi Europian ka nisur zbatimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës si pasojë e vlerësimit se kjo e fundit nuk ka ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri të vendit.

 

Një zëdhënës i BE ka thënë se këto masa i janë komunikuar qeverisë së Kosovës që prej 28 qershorit.

 

ZEDHENES I BE

 

“Kosova, për keqardhje, akoma nuk i ka bërë hapat e domosdoshëm. Prandaj BE-ja, siç kishte paralajmëruar në deklaratën e tij në emër të shteteve anëtare më 3 qershor përfaqësuesi i lartë Josep Borrell, ka marrë vendim për implementimin e disa masave”.

 

Në përgjigje për Radion Europa e Lirë, i njëjti burim ka renditur edhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

 

Ato përfshijnë: pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

 

Masat tjera përfshirë ndalimin e programimit të fondeve për Kosovën nga Instrumentet e Para-Anëtarësimit. Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.

 

Në reagim përsëritet gjithashtu se masat ndaj Kosovës janë të përkohshme dhe të kthyeshme në varësi të situatës në terren.

 

“Këto masa janë të përkohshme dhe krejtësisht të kthyeshme varësisht nga zhvillimet në terren dhe vendimet për shtensionim të situatës nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”

 

BE kërkon më ngulm nga Kosova tërheqjen menjëherë të trupave të policise, zhvendosjen e kryetarëve të zgjedhur në vendodhje alternative dhe zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komunat të banuara me shumicë serbe në ver të vendit.

 

Nga BE thuhet se po monitorohet edhe sjellja e serbisë dhe ekziston mundësia që sanksione të vendosen edhe ndaj saj megjithatë deri më tanë janë parë vetëm masa për Kosovën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *