Bashkimi Evropian tha të premten se është duke e analizuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që euroja të jetë monedha e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në vend, vendim që nxiti shqetësimin dhe reagimin e Beogradit.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha sot në një konferencë shtypi se blloku u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të shmangin veprimet e pabashkërenduara që mund të cenojnë qëndrueshmërinë në terren.
“Jemi ende duke analizuar dhe duke kërkuar sqarime mbi arsyet, motivet dhe ndikimet e mundshme të këtij vendimi. Por në përgjithësi nga Kosova dhe Serbia presim që të shmangin veprimet e pa bashëkrenduara, të cilat nuk e ndihmojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre, që madje mund te kenë ndikim negativ në qëndrueshmërinë në terren. I nxisim dhe u bëjmë thirrje të dyja palëve që këtë çështje ta trajtojnë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha ai.
Qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë i marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në dinarë serbë i cili përdoret për pagesa në mjediset me shumicë serbe, posaçërisht në veri.
Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës nxiti shqetësimin e udhëheqësve të Serbisë të cilët thanë se qëllimi i tij është ndalimi i përdorimit të dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka thënë se kjo është një përpjekje për të shkatërruar dialogun.
Por, zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi tha se me rregulloren e re do të rritet transprenca e dërgimit të parave dhe do të zvogëlohet hapësira e madhe për siç tha keqpërdorim nё emër tё mbështetjes dhe ndihmave sociale, duke nënvizuar se ajo nuk ёshtё produkt i negociatave politike nё Bruksel dhe nuk ka se si tё ketё ndikim nё mbarёvajtjen e procesit tё normalizimit tё marrëdhënieve mes Kosovёs dhe Serbisë.
Sasha Sekuliç, nga Asociacioni i Ndërmarrësve në Graçanicë, komunë me shumicë serbe afër Prishtinës, vlerëson se ky vendim paraqet trysni shtesë për komunitetin serb në Kosovë.
“Qytetarët janë të hutuar se si do t’i marrin pagat e tyre, nëse duhet të udhëtojnë me kilometra për në qytetin më të afërt në Serbi për të marrë pagën. Tjetër shqetësim është se si pensionistët do t’i marrin pensionet e tyre. Ata janë më të cenuarit sepse deri tani i kanë marrë pensionet në shtëpi nëpërmjet postës. Megjithatë përfaqësuesit politik serb ende heshtin, ata duhet të dalin dhe t’i shpjegojnë popullit se çfarë po ndodhë”, tha ai.
Por njohësi i fushës së ekonomisë, Lekë Musa, e vlerëson vendimin plotësisht të drejtë.