BE vazhdon sanksionet kundër Rusisë

Bashkimi Evropian vazhdoi zyrtarisht sanksionet ekonomike kundër Rusisë, të cilat do të zgjasin deri më 31 janar të 2019-ës.
Sanksionet e vendosura në 2014-ën, janë masë ndëshkuese për Rusinë, pas vendimit të kësaj të fundit për të aneksuar Krimenë si dhe për mbështetjen e separatistëve rusë në konfliktin në lindje të Ukrainës.
Miratimi i tyre është bërë pas debatit të liderëve të Bashkimit Evropian për këtë çështje në samitin që është mbajtur në Bruksel më 29 qershor.
Sanksionet godasin sistemin bankar dhe atë të energjisë në Rusi.
Në samitin e BE-së, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron kanë informuar homologët e tyre evropianë për nivelin e zbatimit të marrëveshjeve të Minskut, të cilat janë të lidhura me sanksione.
Marrëveshjet e Minskut janë arritur më 2014 dhe 2015 në kryeqytetin bjellorus, me qëllim të zgjidhjes së konfliktit dhe kanë bërë thirrje për një varg marrëveshjesh për armëpushim në lindje të Ukrainës, mirëpo asnjëra prej tyre nuk ka qenë e suksesshme.
Liderët e BE-së do të shqyrtojnë mundësinë e vazhdimit të sanksioneve pas muajit janar, në takimin e tyre të planifikuar për muajin dhjetor.




