Bashkimi Europian kërkon me ngulm zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi me nisjen e punës për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri.
Kërkesën e theksoi përfaqësuesi i lartë europian, Josep Borell, në një deklaratë për mediat pas takimit me ministrat e jashtë të BE.
JOSEP BORRELL
KRYEDIPLOMAT I BE
“BE u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim. Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht të gjitha Marrëveshjet e Dialogut të kaluar. Puna për themelimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm.”
Borrell tha se BE mbetet shumë e shqetësuar me mungesën e përparimit nga të dyja palët për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Edhe pse jo drejtpërdrejtë, Borell iu përgjigj edhe akuzave të kryeministrit Kurti i cili fajësoi të hënën të dërguarin evropian për dialogun Miroslav Lajçak për dështimin e bisedimeve, duke e akuzuar atë për njëanshmëri e qëndrime kundër Prishtinës.
“BE shpreh mbështetjen e plotë për përpjekjet e Përfaqësuesit Special të BE-së Miroslav Lajčák, dhe u kujton palëve se rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon nëpër Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Të dy rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët e tyre evropiane.”
Më herët edhe SHBA reagoi për akuzat e kreut të qeverisë së Kosovës ndaj përfaqësuesit europian Lajçak. Në përgjigje për Zërin e Amerikës, Departamenti i Shtetit vlerësoi ato që i quajti përpjekje të palodhura të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi.
Zëdhënësi i DASH-it deklaroi gjithashtu se Uashingtoni është plotësisht i përkushtuar në procesin e dialogut. Ai tha se SHBA-të do të konsultohet si brenda ashtu edhe me partnerët evropianë mbi hapat e ardhshëm.