Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova, është shprehur se vendosja e taksës ndaj Serbisë është duke e penguar agjendën e reformave evropiane të Kosovës

 

Sipas sak lancimi i Agjendës për Reforma Evropiane, ERA 2, po pengohet për shkak të kushteve politike dhe vendosjes së tarifës 100 për qind nga ana e Qeverisë së Kosovës për produktet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, tha shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova.

 

“Ne jemi në fillimin e lansimit të ERA 2 dhe mendoj se do të bëjmë një ceremoni, por kur kushtet politike të jenë të favorshme, po flas për tarifat e vendosura të cilat po na pengojnë në vazhdimin e procedurave”, raporton rel.

 

Nga ana tjetër ministrja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha nuk foli për konstatimet e zyrtares evropiane, Apostolova për tarifën dhe pengesën që ajo po i bën procesit të integrimit, por vetëm tha se, që nga fillimi i këtij procesi, janë zbatuar plotësisht 11 nga 22 prioritete dhe të tjerat janë në zbatim e sipër.

 

“Presim që gjatë vitit 2019 të rrisim dinamikën e zbatimit të prioriteteve dhe do të përpiqemi të tejkalojmë planet”.

 

ERA është dokument i përbashkët i Kosovës dhe BE-së nën Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim dhe ka filluar së zbatuari më 11 nëntor 2016, në takimin e parë të Dialogut të nivelit të lartë në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

 

Pakoja e ligjeve që ndërlidhen me integrimin evropian, është e madhe dhe në të bëjnë pjesë ligje nga sektorë të ndryshëm, si qeverisje të mirë, sundim të ligjit, konkurrencë dhe klimë të investimeve, edukim dhe punësim.

 

Mosmiratimi dhe vonesa në harmonizimin e këtyre ligjeve ndikon drejtpërsëdrejti në integrimet evropiane të Kosovës, kishte thënë ministrja Hoxha.

 

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina është në fuqi që nga 21 nëntor i vitit të kaluar.

 

Bashkimi Evropian po kërkon në vazhdimësi nga ana e Kosovës të heqë tarifën pasi ajo, sipas zyrtarëve të BE-së është në kundërshtim me marrëveshjen e tregtisë së lirë mes vendeve të rajonit si dhe po pengon vazhdimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

 

Edhe Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Kosovës që ta heqë këtë masë, duke thënë se ajo nuk përkon me interesat amerikane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *