Bashkimi Evropian ka ripërsëritur thirrjen ndaj të gjitha shteteve kandidate, përfshirë edhe Serbinë, që të përshtaten me vendimet e bllokut sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Zgjerimit, Ana Pisonero, tha të hënën se “nga vendet kandidate, siç është Serbia” presin që “t’u bashkohen qëndrimeve të BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë”.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, tha se në rastin e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, nga të gjitha vendet partnere dhe mike të bllokut evropian, presin që të mbështesin sanksionet.

“Mendoj se kjo vlen për të gjithë miqtë, fqinjët dhe vendet partnere. Ne besojmë se jemi në moment historik dhe është koha që të merren hapa. Kërkojmë nga të gjithë që të aplikohen sanksione në mënyrë të koordinuar”, tha ai, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth qëndrimeve të vendeve që nuk janë anëtare të BE-së, të cilat nuk kanë mbështetur sanksionet ndaj Rusisë.

Në mesin e shteteve që nuk kanë mbështetur sanksionet janë Serbia, Bjellorusia, por edhe Zvicra.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se shteti i tij mbështet plotësisht integritetin territorial të Ukrainës, por Beogradi nuk do të ndjekë shembullin e BE-së për të sanksionuar Moskën.

Bashkimi Evropian ka vendosur një sërë runde të sanksioneve ndaj Rusisë dhe bizneseve ruse, pasi Moska më 24 shkurt nisi pushtimin e Ukrainës.

Të sanksionuar nga blloku janë edhe presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ministri i tij i Jashtëm, Sergei Lavrov, të cilëve u janë ngrirë asetet që kanë në Evropë.

Ndërkohë, në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel nuk kanë dhënë përgjigje të qartë as në pyetjen sesa është reale që Ukraina të bëhet vend kandidat për anëtarësim në BE dhe se çfarë ka nënkuptuar presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, kur ka thënë se “Ukraina e ka vendin në BE”.

Mamer tha se presidentja e KE-së ka shprehur mendimin e saj, por edhe ka rikujtuar se ekzistojnë procedura që duhet të ndiqen.

Në pyetjet se si mund t’i premtohet diçka Ukrainës tani kur procesi i zgjerimit po shkon aq ngadalë, teksa me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ende nuk kanë filluar bisedimet edhe pse këto shtete para shumë vjetësh kishin kërkuar që të anëtarësoheshin, zëdhënësi i KE-së është përgjigjur:

“Askush më shumë se presidentja e Komisionit Evropian nuk është angazhuar për zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor duke nënvizuar rëndësinë që ato kanë për BE-në”, tha Mamer.

“E dimë se ka thirrje, e kemi dëgjuar edhe mesazhin e presidentit [e presidentit të Ukrainës, Volodymyr] Zelensky për procedurë të përshpejtuar, por Komisioni, sipas mandatit të vendeve anëtare, nuk e dikton vetë mandatin. Ne e kuptojmë rëndësinë, por procesin nuk e definon Komisioni”, shtoi ai.

Idenë që Ukraina të pranohet në BE me procedurë urgjente fillimisht e paraqitën para një jave kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, dhe ai i Polonisë, Mateusz Morawiecki./ Rel

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.