Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi një paketë të re ndihme prej 450 milionë euro (491 milionë dollarë) dhe masa të tjera mbështetëse pas një takimi të disa komisionerëve me anëtarë të qeverisë ukrainase në Kiev.

 

 

“Bashkimi Evropian po i dërgon sot një mesazh shumë të qartë Ukrainës dhe jo vetëm për forcën dhe vendosmërinë tonë kolektive përballë agresionit brutal të Rusisë”, theksoi von der Leyen në një deklaratë.

 

 

Nga ndihma e re financiare, 145 milionë euro janë caktuar për ndihmë humanitare dhe 305 milionë euro për riparimin e infrastrukturës së dëmtuar.

 

 

Njoftimi është i fundit në një seri premtimesh ndihme të bëra gjatë një vizite nga von der Leyen dhe 15 zyrtarë të tjerë të komisionit.

 

 

Duke folur më herët së bashku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, von der Leyen deklaroi se ”blloku do t’i sigurojë Ukrainës 150 milionë euro për pajisje energjetike, si dhe 35 milionë llamba me efikasitet energjetik dhe 2,400 gjeneratorë pas sulmeve të përsëritura ruse në infrastrukturën energjetike”.

 

 

Shefi i Çështjeve të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i tha kryeministrit ukrainas Denys Shmyhal se vendet e BE-së synojnë të trajnojnë një total prej 30 000 ushtarësh ukrainas, duke dyfishuar objektivin e misionit të trajnimit ushtarak të BE-së në vazhdim, i cili më parë ishte 15 000.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *