Shtypi i pavarur dhe drejtësia janë në rrezik në disa shtete anëtare të BE. Parlamenti i BE nuk e pranon këtë gjë dhe kërkon veprime konkrete. Hungaria dhe Polonia ndihen sikur janë vënë përpara pa të drejtë.
Në bisedimet për buxhetin që janë duke u zhvilluar midis Parlamentit, Komisionit të BE dhe Këshillit, si dhe përfaqësuesve të vendeve anëtare janë duke u bërë këshillime për “instrumentin e duhur të shtetit ligjor”. Parlamenti nuk ka qenë deri tani i kënaqur me këtë mekanizëm, sepse kufiri për dhënien e dënimeve është vendosur shumë lartë. Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së, patën vendosur që paratë që vijnë nga arkat e BE-së për shtetet e BE të jepen vetëm nëse ekziston një lidhje e qartë midis shtetit ligjor dhe pagesave konkrete.
Hungaria dhe Polonia ndihen të mashtruara
Komisarja e BE-së për vlerat europiane, Jourova, i kujton të pranishmëve se Komisioni i BE-së ka prezantuar javën e kaluar raportin e parë për shtetin ligjor. Në të kritikohet ashpër Polonia dhe Hungaria. Por edhe në Bullgari dhe shtete të tjera ka mangësi të mëdha. Në Bullgari problem të madh paraqet lufta kundër korrupsionit. Reaksionet e qeverive nga shtetet që kritikohen ishin shumë të ndryshme. Kryeministri bullgar, Bojko Borissow, i cili ndodhet në politikën e brendshme nën presion të madh për shkak të demostratave të mëdha, tha se “është shumë i kënaqur dhe i lumtur me raportin e ekuilibruar”.
Ai premtoi që të pranojë këshillat e Komisionit të BE për përmirësimin e shtetit ligjor në Bullgari. Njësoj si Rumania, Bullgaria ndodhet nën vëzhgim të përhershëm, që prej pranimit në BE në vitin 2013. Deri tani të gjitha reformat kanë çuar në rezultate të kënaqshme.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili vlerësohet si “autokrat” nga shumë deputetë parlamentarë, e hodhi poshtë me forcë raportin e Komisionit të BE-së për gjendjen e mediave dhe drejtësisë në Hungari. Në një intervistë dhënë për radion, Orban tha ditën e diel se “burokratët e Brukselit” janë duke sulmuar. Në vend që të sulmojnë, politikanët e BE duhet të qetësojnë gjakrat. Kombet nxiten të jenë kundër njëri tjetrit në vend që të punojnë së bashku. Zëvendësministri polak i Drejtësisë, Sebastian Kaleta u ankua në një faqe facebook-u, se Polonia trajtohet sikur të ishte koloni. Kurse presidenti rumun, Klaus Iohannis, njoftoi se Rumania i merr seriozisht këshillat e BE dhe se do të reformojë sërish sistemin e drejtësisë.
Debate të ashpra
Shtetet e BE dhe parlamenti do të diskutojnë javën e ardhshme sërish si të vendosin në mënyrë sa më efektive lidhjet midis buxhetit dhe shtetit ligjor. Deputetja gjermane Katarina Barley (SPD) tha në debat se kompromise mund të bëhen për të gjitha çështjet, “por jo për vlerat themelore”. Ish ministrja gjermane e drejtësisë, Barley, pati akuzuar në një intervistë kryeministrin hungarez Orban, se është i korruptuar. Orban nga ana e tij, kërkoi dorëheqjen e Komisares së BE-së, Jourova, sepse ajo i ka kapërcyer kompetencat e saj dhe e ka quajtur Hungarinë “demokraci të sëmurë”.
Deputetja polake Beata Kempa, tha në debat se nuk ekziston ndonjë bazë ligjore për raportet e shtetit të së drejtës të Komisionit të BE dhe të Parlamentit. “Ai ka të bëjë më shumë më ëndërrat federative të së majtës”, tha deputetja që është anëtare e partisë nacionalkonservatore PiS, partisë në pushtet në Poloni. Kempa tha se ata kërkojnë që t’u jepen të drejta të veçanta pakicave seksuale. Me të gjitha këto sulmohet sovraniteti i vendeve anëtare të BE, tha ajo.
“Atmosferë mosbesimi”
Komisarja e BE-së, Vera Jourova e hodhi poshtë këtë pikëpamje. Ajo tha se ajo kërkon dialog midis vendeve anëtare. Nuk mund të funksionojë, që të duash të japësh shtatë vitet e ardhshme 1,7 bilionë euro nga buxheti i përbashkët i BE-së, kur “atmosfera e mosbesimit shtohet”. Prandaj është i domosdoshëm kontrolli i qartë i shtetit ligjor para se të jepen paratë. Këtë deri tani e kanë kundërshtuar sidomos Polonia dhe Hungaria.
Duke qenë përfaqësues i Presidencës së radhës së BE, Ministri gjerman i shtetit në ministrinë e Jashtme, Michael Roth, kundërshtoi përpjekjen e një deputeti për ta barazuar Bashkimin Europian me një diktaturë komuniste si ajo e Bashkimit Sovjetik. Duke iu kthyer Beata Kempas, Roth tha se nuk është puna t’i japësh të drejta të veçanta pakicave seksuale, por t’i japësh të drejta të barabarta të gjithëve. Për presidencën gjermane të BE, prioritet ka shteti ligjor. “Ai është kryesori në rendin e ditës”, tha Roth duke kujtuar se Komisioni i BE-së dhe Parlamenti kanë vërejtur gjëra që nuk shkojnë edhe në Gjermani. Vetëkuptohet që me to do të punohet./ DW