Subscribe

Edhe kjo vizitë e radhës së një prej përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian në Tiranë u mbyll pa një datë për hapjen e negociatave anëtarësuese për Shqipërinë.

 

Me gjithë horizontin e ri që konflikti Ukrainë-Rusi hapi në integrimin e Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane, shefi i diplomacisë në BE, Josep Borrel, në këtë horizont nuk sheh ndonjë mundësi të tejkalimit të vetos Bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut.

 

Ajo është aty dhe gjasa është që edhe përgjatë presidencës franceze të Bashkimit Evropian deri në fund të qershorit, as Shqipëria dhe as Maqedonia eVeriut të mos i nisin negociatat.

 

JOSEP BORREL

PERFAQESUES PER POLITIKEN E JASHTME NE BE

 

Shqipëria i ka përmbushur tashmë me kohë të gjitha kushtet. Nuk është një datë e caktuar por është horizonti dhe koha. Nuk ka të bëjë kjo me shpejtësinë e zgjerimit të procesit me shtetet e tjera, por ka të bëjë me situatën e përgjithshme politike në Europë.

 

 

 

Përballë faktit që kriza e çmimeve të energjisë elektrike, karburanteve e produkteve ushqimore pritet të përkeqësohet pas sanksioneve të vazhdueshme ndaj Rusisë, kryeministri Edi Rama i kërkoi shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrel, mbështetje financiare nga BE-ja.

 

JOSEP BORREL

PERFAQESUES PER POLITIKEN E JASHTME NE BE

 

Imagjinoni një plan nga këndvështrimi ekonomik dhe pasojat ekonomike të luftës, sigurisht që ky plan do të përfshijë patjetër Ballkanin Perëndimor, medoemos, por mos mendoni se do të jetë një plan ekonomik për t’i dhënë përgjigje çdo lloji sfide të mundshme brenda natës. Nuk janë pasoja të qenit në krah të sanksioneve por është një proces që ka nisur me rritjen e çmimeve më parë, të energjisë, të naftës, të karburantit, të gazit, pra është një varësi e ndërvarure të gjithëve ne e tashmë po bëhet shumë më e qartë pasi Rusia po e përdor atë si armë. Më lejoni ta ilustroj këtë me një shembull. Unë për shembull po paguaj faturën e energjisë në Spanjë. 50 euro ka qenë më parë ndërsa tani ka shkuar 500 euro pikërisht njësia e mëparshme. Kjo ka ndodhur në të gjithë Europën. Çmimet e energjisë elektrike janë rritur të paktën gjashtëfish. Nafta, karburanti që përdor për makinën në Bruksel është më shumë se 2 euro litri.

 

Me vëmendjen te konflikti Ukrainë-Rusi dhe goditjes që do t’i japë ekonomisë, Josep Borrell vlerësoi po aq shqetësuese propagandën që Rusia po bën në Ballkanin Perëndimor, gjë për të cilën Edi Rama tha se po e ndjek me kujdes të veçantë.

 

JOSEP BORREL

PERFAQESUESE PER POLITIKEN E JASHTME NE BE

 

Dezinformimi rus është një fjalë që ne përdorim për të folur propagandën dhe gënjeshtrat sistematike, është rritur, ne e shikojmë dhe e perceptojmë këtë gjë. Ne duhet ta kuptojmë dhe të përballemi me influencën ruse, kudo ku ajo ndodhet në Ballkanin Perëndimor, në disa vende më shumë se në disa të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *