Subscribe

Edhe në samitin e kësaj të marte në Brdo të Sllovenisë, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ia dolën të siguronin nga liderët e unionit, një perspektivë të qartë kohore për pranimin në Bashkimin Europian. Propozimi slloven për arritjen e këtij qëllimi deri në vitin 2030 u hodh poshtë. Kancelarja në largim Angela Merkel argumentoi se presioni i afateve nuk është në funksion të arritjes së objektivit.

 

“Unë nuk besoj vërtet në përcaktimin e datave, besoj në përmbushjen e premtimeve tona. Pasi të plotësohen kushtet, pranimi mund të bëhet. Një afat do ta vinte BE-në nën presion, pavarësisht nëse Ballkani Perëndimor i plotësonte kushtet e përcaktuara nga blloku prej 27 vendesh, apo jo”, tha Merkel.

 

Presidenti i Këshillit Euoropian, Sharl Mishel deklaroi se ka ende dallime mes shteteve anëtare mbi kapacitetin e unionit për të marrë anëtarë të rinj. Ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macro pranoi se procesi vendimmarrës në Bashkimin Europian po ecën shumë ngadalë.

 

“Ne kishim një diskutim të mirë…dëshira jonë është që t’i japim Ballkanit,  i cili ndodhet në zemër të Europës, një perspektivë europiane sërish në plan afat shkurtër. Ne duhet të përgjigjemi, kjo do të ndihmojë stabilitetin europian. Por gjithsesi zgjerimi i BE me 6 anëtarë të rinj do të kërkonte reforma në procesin e vendimmarrjes që po ecën ngadalë”, u shpreh Macron.

 

Në deklaratën përfundimtare të samitit, theksohet, se integrimi i vendeve të reja në BE kushtëzohet nga zhvillimi i mëtejshëm i vetë unionit.

 

Ndërkohë, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen deklaroi se bisedimet e bllokuara të pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë po dëmtojnë besueshmërinë e BE -së në rajon.

 

“Javën e kaluar udhëtova në  6 vendet e rajonit  dhe pashë që njerëzit ishin  të padurueshëm dhe të mërzitur me procesin e integrimit. Mungesa e vendimit për të hapur konferencën e parë ndërqeveritare  për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut cënon besueshmërinë e unionit. Komisioni duhet të gjejë një zgjidhje për mosmarrëveshjet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.”

 

Në deklaratën përfundimtare të samitit theksohet garancia e pranimit në BE, por vendimet për anëtarësimin do të varen nga përpjekjet për reforma. Duke mirëpritur angazhimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë drejtim, Bashkimi Europian miratoi një paketë investimesh me vlerë deri në 30 miliardë euro.

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *